Basha: Raporti i OSBE konfirmon kërcënimet, dhunën dhe blerjen e votave

Kryetari i PD, Basha deklaroi mbrëmë se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR konfirmoi blerjen e votave në zgjedhje, kërcënimet ndaj votuesve dhe dhunën e ushtruar nga pushteti. Basha tha se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të mosbesimit të thellë që qytetarët kishin ndaj procesit zgjedhor.
Raporti e ka cilësuar votimin krejtësisht negativ në të paktën 7 për qind të qendrave të votimit.
“Raporti i sapopublikuar i OSBE-ODIHIR për zgjedhjet e qershorit konfirmon se në këto zgjedhje vota e qytetarëve u kërcënua, u dhunua dhe u ble. OSBE pohon se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të mungesës së thellë të besimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor dhe mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe liria. Raporti nxjerr në pah se votimi i 25 qershorit shënoi shumë parregullsi themelore, që kanë ndikuar direkt rezultatin e zgjedhjeve.
Në mënyrë të veçantë raporti thekson marrjen e masave urgjente për:
– Ndalimin e dukurisë së përhapur të shitblerjes së votës
– Ndalimin e financimeve kriminale të zgjedhjeve
– Ndalimin e presionit ndaj punonjësve publike dhe përdorimin e burimeve publike në zgjedhje
Të dhënat që ofron raporti tregojnë se, praktikisht votimi është shtrembëruar në mënyrë të ndjeshme: mos verifikim të bojës shënuese në mbi 25 për qind të rasteve të vëzhguara; mos vendosjen e bojës në gisht në 12 për qind të rasteve të vëzhguara; votim në grup në rreth 11 për qind të rasteve të vëzhguara; votim për të tjerë në 5 për qind të rasteve të vëzhguara; hedhje firmash identike në 5 për qind të rasteve të vëzhguara; mosrespektim të rregullave për votimin e ndihmuar që shpeshherë u bë nga të njëjtët persona për shumë individë të ndryshëm që kërkuan ndihmë për të votuar; ndërhyrje nga aktivistë partiakë. Raporti thekson se, votuesit u trembën dhe u kërcënuan nga grupe aktivistësh të vendosur pranë apo përreth qendrave të votimit.
Mbi 10 për qind e personave që kanë ndërhyrë në qendrat e votimit si vëzhgues apo përfaqësues të partive politike kanë qenë persona të paautorizuar.
Raporti e ka cilësuar votimin krejtësisht negativ në të paktën 7 për qind të qendrave të votimit.
OSBE nxjerr në pah se, mbulimi mediatik ka favorizuar PS-në. Jo vetëm që koha televizive ka qenë në favor të PS-së, në disa media kombëtare i është dhënë PS gati dy herë më shumë kohë se PD-së, por PS është përcjellë pothuajse gjithmonë pozitivisht, ndërsa opozita është përcjellë me tone negative dhe kritike nga mediat kryesore.
OSBE bën thirrje për kryerjen e një reforme të thellë elektorale, e cila do të reflektojë të gjitha rekomandiemt e OSBE/ODIHR të viteve 2013, 2015 dhe 2017.
Në mënyrë të veçantë thekson marrjen e masave urgjente për:
– Ndalimin e dukurisë së përhapur të shitblerjes së votës
– Ndalimin e financimeve kriminale të zgjedhjeve
– Ndalimin e presionit ndaj punonjësve publikë dhe përdorimin e burimeve publike në zgjedhje”, u shpreh Basha në deklaratën pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.