Banda, policia refuzoi urdhrin e Prokurorisë

Dua ta nis këtë fjalë me një histori të ditës:
Dhëndri i një kryebashkiaku bashkë me disa banditë ushtron dhunë mbi policinë dhe rrezikon jetën e disa policëve. Prokuroria nis hetimet dhe urdhëron policinë të përgjojë anëtarët e bandës. Policia refuzon të zbatojë urdhërin e Prokurorisë. Pas disa ditësh, policia e mohon fare se është ushtruar dhunë dhe rrezikuar jeta e policëve. Gjithçka mbyllet si incident i rëndomtë pa asnjë rrezik e pa asnjë pasojë, normalitet.
Qyteti i kësaj historie, është Elbasani. Banditi i kësaj historie është dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit. Ndërkohë që kompania e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit është duke u hetuar për trafik droge.
Po e përmbledh dhe një herë me pak fjalë. Një bandë kriminelësh ushtron dhunë të hapur ndaj policisë. Policia refuzon t’i hetojë e t’i përgjojë. Pastaj policia mohon fare të ketë ndodhur dhunë.
Pyetja që ngre është: Ku e gjen kurajon një grup banditësh të sulmojë policinë? Çfarë i bën policët që megjithëse u është rrezikuar jeta nuk guxojnë të hetojnë banditin, por ulin kokën dhe heshtin?
Përgjigjen e kësaj pyetje e dini të gjithë.
Dy mijë kilometra larg Elbasanit, në Londër, para disa ditësh Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar botoi Raportin 2016 të Vlerësimit Strategjik të Rrezikut të Krimit në Britani. Një nga konkluzionet kryesore të raportit është:
Grupet kriminale shqiptare kanë arritur një profil me ndikim të lartë brenda krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë kontroll të konsiderueshëm mbi të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Rreziku me të cilin përballemi nga grupet shqiptare të krimit është rritur ndjeshëm.
Këto janë dy histori të shkëputura nga dhjetëra e qindra të tilla këto ditë.
Pyetja ime është: Si shpjegohet që brenda katër vjetësh, katër vite jo më shumë, krimi u kthye në problemin kryesor të Shqipërisë dhe një kërcënim serioz për shumë vende të Europës perëndimore, nga Spanja në Holandë, nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar, në Itali, Greqi, e kudo tjetër?

Në 4 vite nga vend i sigurtë në vend të krimit

Si shpjegohet që brenda katër viteve, 4 vite jo më shumë Shqipëria u kthye nga vendi i sigurtë, qytetarët e të cilit fituan të drejtën të udhëtonin lirshëm pa viza, e shumë europianë gjenin mundësi dhe siguri për të investuar këtu, në vendin që prodhon rrezik për ta?
Sot ne po diskutojmë marrëveshjen e ekstradimit me Mbretërinë e Bashkuar. Eshtë një kërkesë shumë domethënëse e qeverisë britanike, e cila e konsideron atë një hap të rëndësishëm për të sjellë para drejtësisë kriminelët me shtetësi shqiptare.
Por dua të paralajmëroj sot këtu: kjo marrëveshje do mbetet një copë letër, për aq kohë sa Edi Rama do jetë kryeministër.
Sepse Edi Rama nuk ka asnjë problem me krimin dhe kriminelët. Prandaj i futi në politikë. Edi Rama nuk ka asnjë problem me drogën, ndaj e ktheu Shqipërinë në parajsë të drogës.
Në katër vjet, vetëm në 4 vjet jo më shumë, ekonomia e Shqipërisë u kthye në një ekonomi të drogës. Asnjë investim i ri i huaj, asnjë investim prodhues, asnjë vend i ri pune. Prodhimi kryesor i Shqipërisë u bë droga. Eksporti kryesor i Shqipërisë u bë droga dhe krimi. Funksioni kryesor i sistemit financiar u bë pastrimi dhe riciklimi i parave të pista të drogës.
Kështu, Shqipëria kapi në katër vjet të gjitha rekordet e zeza të krimit: Interpoli e shpalli prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Europë. Interpoli dhe Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktuan si korridor kryesor të heroinës për në Europë. Departamenti i Shtetit e futi zyrtarisht në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Po Departamenti i Shtetit e cilësoi Shqipërinë bazë operacionale të krimit të organizuar në të gjithë Ballkanin.
Ndërsa libri më i rëndësishëm i referencave në botë: Libri i Fakteve i Angjensisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA-s, e quan Shqipërinë zyrtarisht vend të drogës.
Tani që e gjithë Shqipëria dhe Europa janë alarmuar dhe po reagojnë ndaj përhapjes së krimit, kryeministri, po përpiqet të ndezë ndjesi dhe ndjeshmëri anti-europiane mes shqiptarëve, duke u thënë atyre se europianët janë racistë dhe nuk i duan shqiptarët.
Streha e fundit e maskarallëkut është pseudo-patriotizmi, dhe kjo është streha e re ku është vendosur Edi Rama dhe nga ku sulmon këdo që e akuzon për favoret që ai i bën krimit.

Dy arsye pse krimi po lulëzon

Ka dy arsye pse krimi shqiptar ka lulëzuar në Shqipëri dhe kudo në Europë këto katër vite.
Arsyeja e parë është lejimi i qëllimshëm i kultivimit të drogës në Shqipëri.
Inkurajimi i drogës krijoi një burim të ri, të lehtë dhe të sigurt, të të ardhurave marramendëse për krimin. Lehtësia e kultivimit të drogës dhe trafikimit të drogës nga Shqipëria radar-fikur, bëri që trafiku i drogës të tërheqë gjithnjë e më shumë njerëz, shqiptarë por edhe të huaj, në Shqipëri, në rajon dhe në Europë.
Arsyeja e dytë, është kthimi i Shqipërisë në një strehë të sigurtë për kriminelët shqiptarë të kërkuar në Europë. Shqipëria, u bë vendi ku kriminelët vijnë, ku ndiqen, investigohen apo kur rrezikohen nga policitë e vendeve të tjera.
Kriminelët e dinë se mund të trafikojnë drogë, të kryejnë lloj-lloj krimesh, madje edhe të vrasin në Holandë, Gjermani, Greqi apo në Britani, në Amerikë, por gjithmonë e ke një rrugëdalje: kthehu në Shqipëri dhe të jetosh i qetë.
Po qe nevoja mund të ndërrosh kollaj identitetin dhe të rilindësh. Mund të rilindësh si biznesmen, mund të rilindësh si deputet, mund të rilindësh si kryebashkiak.
Mund të të kërkojë policia e gjithë botës, Europa dhe Interpol bashkë, por në Shqipëri t’i mund të shijosh hapur në publik, mund të shijosh jetë luksi, vila luksi, makina të shtrenjta, restorante luksi dhe të gjitha qejfet e mundshme të kësaj dynjaje. Madje mund t’i ndash këto qejfe dhe ndonjë vizë të bardhë edhe me politikanë, që janë shoqëria dhe klientela më besnike e krimit.
Mjaftojnë këto dy arsye që krimi të lulëzojë, të dalë e të teprojë. Por Edi Rama e përfshiu me vetëdije krimin në politikë dhe në qeverisje.
Në Shqipërinë e Edi Ramës kryetar Kuvendi është dikush që partnerët strategjikë e cilësojnë të zezë mbi të bardhë, si lidhje të bandave dhe trafikut të drogës. Ministër i Brendshëm është dikush tjetër, vëllai i të cilit kërkohet nga Interpoli si trafikant ndërkombëtar droge. Në Shqipërinë e Edi Ramës ministrat inaugurojnë hotelet e trafikantëve ndërkombëtarë të ndërtuara me paratë e drogës.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, përdhunuesit janë kryetarë bashkie. Në Shqipërinë e Edi Ramës, ministri i Brendshëm koordinon direkt trafikantët, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë përgjon paligjshmërisht kundërshtarët politikë të kryeministrit dhe diplomatët e huaj dhe sipas informacionit, gjyhnaqarin që mbante kufjet e ke nisur sot me urgjencë për në Amerikë para se t’i vinin prangat.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, ata që kërkon Interpoli i mbron policia edhe kur shpallen nga mediat botërore si eskobarë.
Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për ekspozita pikturash dhe udhëtime qejfi, por jo për makina policie dhe pajisje për ta. Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për propagandë dhe jo për laboratorë të kriminalistikës, të cilat zënë flakë dhe marrin zjarr sa herë hetimet u afrohen politikanëve të bërë njësh me krimin.
Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për sharës me pagesë dhe lobistë dhe jo për punonjësit e sistemit të drejtësisë dhe organeve të Vettingut.
Kjo lloj Shqipërie nuk ka asnjë mundësi të integrohet në Europë. Ajo është tashmë e izoluar ekonomikisht dhe politikisht dhe procesi i integrimit europian është tërësisht i bllokuar.

Krimi, katër kërkesat e Bashës për Ramën

Shqipëria nuk do të marrë ftesë për hapjen e negociatave në fund të këtij viti. Dhe nuk do ta marrë as më vonë, nëse nuk zgjidh pengesën kryesore të integrimit: krimin dhe drogën, dhe sidomos lidhjet qeveritare të krimit dhe drogës.
Ndaj le ta miratojmë këtë marrëveshje, por të mos mbyllim sytë për gjendjen ku ndodhet vendi.
Partia Demokratike luftoi 4 vjet rresht, duke denoncuar dhe ngritur zërin për të vetëdijësuar të gjithë, për drogën, krimin dhe rrezikun e tyre. Partia Demokratike ndërmori veprime ekstreme politike për ta bërë drogën dhe krimin çështje parësore të debatit politik dhe publik. Ne do të vazhdojmë të luftojmë pa kompromis kundër drogës dhe krimit, por kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në këtë mision.
Sot nga kjo sallë të kërkoj ty Edi Rama që ta nisësh luftën kundër krimit, duke ndërmarrë disa masa të thjeshta, por që kanë domethënie të madhe:
Largo Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën nga drejtimi i Kuvendit dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kërko menjëherë shkarkimin e Qazim Sejdinit.
Bëj publike listën e të gjithë personave në administratë shtetërore që kërkohen nga Interpoli dhe fillo menjëherë aksion për arrestimin e tyre.
Spastro rradhët e drejtuesve të korruptuar të policisë nga bashkëpunëtorët e drejtpërdrejt të trafikut të drogës.
Por këto ti nuk do t’i bësh dhe as nuk ke ndërmend t’i bësh.

Replika e Bashës me Xhafajn

Çfarë kuptuam nga zoti ministër i Brendshëm?! “Problemi është opozita. Opozita po nxin vendin”. Kjo më kujton thënien e famshme popullore: “Kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin!”
Problemi nuk është opozita. Problemi nuk është shpallja botërisht e të vërtetës: që sot keni frikë ta thoni ju, grupi juaj parlamentar, këtë e denoncon vetëm opozita me zë të lartë.
Problemi është kjo e vërtetë e dhimbshme, që sot rëndon mbi qytetin e tretë më të madh të Shqipërisë, që ka kyçur banorët dhe banoret e Elbasanit, tash dy vjet nën terrorin e bandave të bëra njësh me politikën lokale të Qazim Sejdinit me mbështetjen e hapur të Edi Ramës dhe të segmenteve të tij në Elbasan.
Elbasani nuk është përjashtimi. E njëjta situatë është në Lezhë, në Shkodër, në Fier, në Lushnjë, Vlorë. Krimi sundon Shqipërinë. Bandat sundojnë Shqipërinë.
Kjo nuk është propagandë. Nuk ka Partia Demokratike dhe opozita fuqinë të manipulojë raportet e EUROPOL-it, INTERPOL dhe agjencive ligj zbatuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Por ka vetëm fuqinë të tregojë të vërtetën këtu, para këtij Parlamenti.
Fjalimi që lexove këtu ishte fjalimi i vjetër i Saimir Tahirit: analiza, ndjekja me vëmendje, ndjeshmëria. Jo! Vetëm përballja. Por këtë ti nuk e bën dot. Dhe për këtë nuk ke ti faj! Fajin e ka ai që të ka vënë aty. Ti je në konflikt interesi! Dhe natyrisht, ai që të vuri.

Magazina në Elbasan, kështjellë e krimit të Ramës

Ju të gjithë e keni parë videon, dhe me siguri, ata që s’kanë lidhje me krimin dhe me qeverinë e kapur nga krimi, shumica e shqiptarëve të ndershëm, janë ndjerë keq kur kanë parë se si policia u dhunua, u spraps, u poshtërua, u shpartallua në mes të qytetit nga një bandë.
Dhe të gjithë pyesin, pse nuk hyri policia brenda magazinës ku u strehuan banditët, pse nuk e kaloi portën?
Eshtë shumë e thjeshtë. Policia nuk e kaloi atë rrethim, jo se nuk i ka mjetet, jo se nuk ka oficerë të përgatitur e kurajozë.
Por sepse ajo magazinë, është kështjella e Edi Ramës. Eshtë kështjella e krimit, e bandës. Ka imunitet, gëzon mbështetje dhe mbrojtje qeveritare.
Dhe këtë nuk e bën dot policia, nuk e çan dot atë rrethim. Ndaj, mos t’ia kërkojmë këtë oficerëve, burrave e grave në uniformë.
Duhet t’ia kërkojmë Edi Ramës të dalë nga magazina e krimit. E nëse nuk del, duhet ta nxjerrim nga aty bashkë me qytetarët.