Barcelonës i mjafton një autogol

Barcelona konfirmohet në kreun e grupit në Ligën e Kampioneve me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para. Por nëse ndaj Juventusit katalanasit shkëlqyen me një lojë spektakolare, ndaj Sporting Lisbonës ata thjesht bënë detyrën dhe siguruan tri pikët vetëm falë një autogoli të Koates.
Sportingu i bëri rezistencë ekipit të Valverdes, duke mos e lënë të luante lojën e rrjedhshme të tij. Ndaj Barcelona e kishte të vështirë të gjente rrjetën në këtë ndeshje. Gjithçka u zgjidh me episodin e fillimit të pjesës së dytë, kur Koates devijoi në portën e vet një goditje dënimi nga e djathta.
Në takimin tjetër, heroi i mbrëmjes ka qenë Gonzalo Higuain, i cili ka treguar se është ende shumë i vlefshëm për Juventusin, pavarësisht kritikave për “krizën e golit”. Alegri kishte lënë argjentinasin në stol në duelin kundër Olimpiakosit, duke e aktivizuar në minutën e 60, meqë skuadra e tij nuk po gjente dot rrugën e rrjetës. Higuain iu deshën pak minuta që të gjente portën e ekipit grek, ndërsa më pas ishte Manxhukiç që vulosi rezultatin përfundimtar 2-0.