Alegri: Pas 5 vitesh drejtoj Italinë

Kur futbolli të mos më argëtojë më atëherë do të largohem, deklaron kështu trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, suksesi i të cilit, konfirmon vlerat dhe meritat e 50-vjeçarit. 3 herë radhazi kampion në Serinë A me bardhezinjtë si dhe dy finale radhazi të Champions League flasin qartë se Alegri është ndër teknikët më të mirë në botën e futbollit.
“Deri sa mësimdhënia në fushën e futbollit të më japë kënaqësi do të vazhdoj me këtë profesion. Më pas ndoshta 5 apo 6 vite më vonë mendoj se do të largohem. Më pëlqen tej mase të mësoj të rinjtë dhe kënaqësia më e madhe është atëherë kur shoh rezultatet, përmirësimin e futbollistëve”, u shpreh Alegri.
Trajner praktik por dhe me shumë thelb, Alegri shpjegon me fjalë konceptin e tij të futbollit, që i kërkon skuadrës ta konkretizojë në fushë. “Futbolli është një sport i thjeshtë, nuk ka sens ta komplikosh atë. Si rregull bazë duhet bërë e kundërta e asaj që bën kundërshtari në fushë”, tha trajneri i Juventusit.
Sa i takon të ardhmes së tij, emri i Alegrit si kandidat për stolin e Kombëtares italiane është ndër më të denjët e më të lakuarit. “Është një motiv i fortë për t’u ndjerë krenar, Kombëtarja më intereson dhe intrigon jashtë mase. Edhe Kombëtarja e të rinjve premton shumë”, tha Alegri.
Lidhur me sekretet e tij në përgatitjet e ndeshjeve Alegri shton se nuk është nga ata tranjnerë që mendojnë 24 orë apo më shumë vetëm për një ndeshje. “E them gjithnjë se ka trajnerë të lindur dhe trajnerë të ndërtuar gjatë rrugës. Unë mendoj që bëj pjesë tek kategoria e parë, te ata trajnerë që gjithçka ju vjen natyrshëm. Nuk më nevojitet të qëndroj gjithë ditën, duke parë video, kështu vetëm sa do të stresohesha pa kuptuar se çfarë duhet të bëj. Unë shoh aq sa më nevojitet dhe në një çerek ore e kam gjithçka të qartë se çfarë duhet të bëj. I delegoj shumë detyra edhe stafit teknik, por psikologjia është ajo që e bën lojtarin të performojë mirë në fushë dhe kjo është detyrë e trajnerit. Ai duhet të kuptojë momentet, në të cilat duhet të përkëdhelë apo karikojë një futbollist, ta stimulojë apo edhe ta grushtojë simbolikisht, për ta zgjuar kur nevojitet”. Kështu e mbylll fjalën e tij Massimiliano Alegri si një strateg i madh njëherazi edhe një psikolog.