Albin Kurti-Ramës; Kosova nuk ka tokë për të falur

Albin Kurti, ish-Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja në një postim në Facebook i është përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Rama mbi rishikimin e marrëveshjes së demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.
Zoti Kurti shkruan se:
[N]dërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se zoti Rama po i kërkon zotit Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi.
Zoti Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha të territorit.
Më tej, ish kryetari i Vetëvendosjes shprehet se Kryeministri i Shqipërisë bën mirë të merret me realizimin e marrëveshjes Kosovë-Shqipëri dhe të mos flasë për demarkacionin. Ai shkruan se:
Me 32 deputetët e saj tash Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia më e madhe në vend e në Kuvend. Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur.
Pavarësisht se zoti Kurti i lavdëron përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim, ai thotë se deri më tani asgjë nuk është zbatuar.
Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve.
Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë, realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë.