4 të vdekur në tre aksidente brenda dy orësh ditën e djeshme

Aksidentet rrugore vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Vetëm ditën e djeshme humbën jetën 4 persona në tre aksidente brenda dy orësh. Rreth orës 15:00, një makinë përplasi dy persona që po udhëtonin me motor, duke shkaktuar vdekjen e të dyve, në aksin rrugor Bilisht-Korçë. Njëri prej personave që lëviznin me motor vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri që mbeti i plagosur rëndë u transportua në Spitalin Rajonal të Korçës, ku nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, si dhe ka shoqëruar drejtuesin e “Benz-it”, 55-vjeçarin me inicialet P.G.
Një tjetër aksident ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 16:20 minuta në autostradën Levan-Tepelenë, ku ka gjetur vdekjen shtetasi me iniciale A.M, 48 vjeç, banues në fshatin Cakran të Fierit, drejtuesi i mjetit “Benz”. Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë, shtetasin me iniciale A.A, 55 vjeç, banues në Vlorë, drejtues i mjetit tjetër. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Po ashtu një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në afërsi të “Shkollës së Baletit”, ku një automjet tip “Benz” ka përplasur një të moshuar, duke e lënë të gjakosur pa ndjenja në rrugë. I moshuari nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetë në spital.
Drejtoria e Policisë Rrugore iu kërkon të gjithë drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë me mjetet e tyre në këto orë të shtojnë kujdesin gjatë drejtimit të mjetit të tyre. Në orët në vazhdim, si rezultat i rëndimit të kushteve të motit dhe rënies së shirave në mjaft zona rrugore të vendit kanë ndodhur tre aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës së tre shtetasve.
Paraprakisht Policia Rrugore ka identifikuar si shkak të ndodhjes së tyre shkeljen e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve të përfshirë në këto aksidente dhe sidomos shpejtësinë tej normave të lejuara dhe parakalimin e gabuar.
Me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore dhe parandalimin e tyre dhe ruajtjen e jetës së shtetasve, Policia Rrugore kërkon rritjen e vëmendjes në drejtimin e mjeteve, respektimin në maksimum të normave të sjelljes, përdorimin sidomos të rripave të sigurimit dhe vendosjen e kaskove mbrojtëse nga drejtuesit e automjeteve. Të evitohet me çdo kusht përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjeteve. Shërbimet e Policisë janë në akset rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe për të dhënë çdo ndihmë drejtuesve të mjeteve.