10-vjet pa klerikun, filozofin dhe shkrimtarin At Zef Pllumi

Nga Martin DEDAJ

Përmes kujtimeve nga personalitete të dheut të tij të lindjes, miq dhe të afërm, në një aktivitet të zhvilluar më 23 shtator 2017, Bashkia Lezhë në ambientet e Bibliotekës Publike të qytetit, ka përkujtuar klerikun, filozofin dhe shkrimtarin At Zef Pllumbi, në 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ku kanë marrë pjesë shkrimtarë, studiues, historianë, poetë, gazetarë, artistë, nxënës dhe gjimnazistë si dhe miq, bashkëpunëtorë dhe të afërm të françeskanit At Zef Pllumi. Takimi i moderuar nga Suela Bala, përgjegjëse e Bibliotekës ishte konceptuar në formë bashkëbisedimi ku secili që merrte fjalën evokonte kujtime me At Zef Pllumin, si dhe nga disa të tjerë u lexuan disa fragmenteve nga krijimtaria e tij.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, teksa ka marrë fjalën në këtë takim ka thënë ndër të tjera se: “At Zef Pllumbi me krijimtarinë e tij dhe qëndresën antikomuniste ka lënë gjurmë tek çdo shqiptar. E kam lexuar kolanën e krijimtarisë së tij, dhe i rikthehem disa herë asaj, pasi aty është e gdhendur me mjeshtri artistike dhe me një realitet të pa shoq, kalvari i gjatë i vuajtjeve të klerit katolik në veçanti dhe gjithë popullit shqiptar në periudhën e diktaturës komuniste. Ndër veprat e tij padyshim që veçohet: “Rrno vetëm për me tregue”, që është një vepër monumentale, e ardhur për lexuesit përmes një letërsie dokumentare rrëfimtare mjaft të arrirë dhe që është në vetvehte një vlerë kombëtare e pashoqe. Ai do të mbesë gjatë në memorien e të gjithëve për veprimtarinë e tij të shkëlqyer si klerik dhe shkrimtar, gjithashtu edhe për kalvarin e vuajtjeve për 26 vjet në burgjet e komunizmit, por dhe si një përfaqësues dinjitoz i pasurisë kulturore, shpirtërore dhe njerëzore, thënë ndryshe ai ka qenë, është dhe do të jëtë një pjesë e rëndësishme e historisë së kombit shqiptar, e cila nuk duhet harruar asnjëherë”.
Nga ana e tij piktori i mirënjohur, përmasat e të cilit prej kohësh kanë kaluar kufijtë rajonal dhe kombëtar, “Mjeshtri i Madh”, Pashk Përvathi, diskutimin e tij e mbështeti në bazë të një kujtimi që ruante nga takimet me At Zef Pllumin dhe sidomos kur kishte marrë përsipër të realizonte një portret të tij. “Çdo vepër arti ka një histori, ndaj unë po rrëfej historinë e portretit që ju po shihni. E kam njohur në tre vjetët e fundit të jetës së tij At Zef Pllumin, përmes Agron Gjekmarkajt, i cili më kërkoi me doemos që unë t’i bëja një portret. Në fillimt ngurova, pasi unë nuk jam piktor i portreteve, pasi preferoj peizazhet. Por ai këmbënguli dhe mora përsipër që ta realizoja. Kemi shkuar dhe e kemi takuar në shtëpi disa herë, të cilin e gjeja vazhdimisht shtrirë, pasi kishte filluar të dobësohej nga ana shëndetësore. Në vitin 2006, Padri ftoj në shtëpinë e tij Ismail Kadarenë. Atë ditë, ai ishte pothuajse rinuar, dhe ishte veshur e drejtuar shumë mirë. Aty At Zef Pllumi na ka rrëfyer një detaj shumë interesant me Gjergj Fishtën, dhe filloi të na rrëfente… Një radhë kur kishte qenë në kolegjin françeskan At Gjergj Fishta, i thonë se kemi një djalë të ri këtu në kolegj, që e din lahutën përmendësh. Dhe Fishta u kishte thënë që; -Ma bini atë djalin këtu. Dhe unë shkova dhe fillova ta them lahutën përmendësh shpejt e shpejt. Në një moment, Fishta më tha; -boll se e dinke sakt përmendësh dhe mori një libër dhe ma dhuroi me autogarf, (libër i cili ruhet në familjen e At Zef Pllumit). Teksa i rikthehet realizimit të portretit, Përvathi vijon se; -Atë ditë që erdhi Kadareja në Lezhë, e ula Padër Zefin në karrike dhe i bëra një fotografi, mbi të cilën e ndërtova këtë portret, të cilin e mbaj në shtëpi dhe nuk e shes.
Studiuesi Altin Meçja, në fjalën e tij tha ndër të tjera se: “At Zef Pllumi ka lënë pas një dëshmi të gjallë dhe mjaft të vlefshme. Secili prej nesh në çdo event duhet të dhurojmë nga një kopje të librit monumental të At Zef Pllumbit “Rrno vetëm për me tregue”, sepse kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjmë. Pasi ai i tha jo komunizmit, që në fillesat e tij, me besimin në zot dhe tolerancën fetare që kishte. Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë se në kohën e sotme kanë filluar të rishfaqen reminishenca të nostalgjisë komuniste, në mënyra moderne dhe më të sofistikuara, por që janë më të rrezikshme. Ndaj shoqëria shqiptare duhet të ngrihet e t’i thotë jo këtyre tendencave.
Publicisti Frano Kulli tha se; “Ruaj impresione dhe kujtime për këtë njeri shumë dimensional si At Zef Pllumbi, që i përkiste plejadës së franceskanëve themelues të kulturës moderne shqiptare. I fundmi, i cili doli i gjallë nga kalvari i burgjeve komuniste. Libri 10 vjet liri, është libri i fundit i botuar nga krijimtaria e tij, të tjerë janë në radhë. Dhe ka sjellë mbresa nga promovimi i librit të tij të parë “Rrno vetëm për me tregue”, i cili është promovuar në Shëngjin. (Ku kam patur fatin të jem edhe unë). At Zef Pllumi ka qenë dhe mbetet ndër mjeshtrat e mëdhenj të letërsisë dokumentare shqiptare”.
Bardhok Pulaj, drejtor i DAR Lezhë, ndër të tjera tha se: “Kemi qenë dhe jemi me fat për plejadën e françeskanëve, ndër ta edhe At Zef Pllumi, i cili ndër të tjera ka qenë dhe mbetet një mendimtar dhe filozof, që e ka parë botën në mënyrë të veçantë, çka na detyron edhe neve, që të shohim veten. Është simbolikë e françeskanëve, por edhe e jona, pasi vepra letrare e Atë Zef Pllumit është ridimensionimi shpirtëror i çdo shqiptari, dhe në të ardhmen do të lexohet si një relike”.
Politikani dhe shkrimtari i njohur Preç Zogaj teksa mori fjalën u shpreh se: “E kam patur mik dhe udhërrefyes. Ai ka qenë dhe do të mbetet një figurë komplekse, saqë ne nuk e dimë se kush është, pavarësisht se ne kemi mundur të nuhasim diçka rreth tij. Kur u botua në vitin 2004, përmbledhja e At Zef Pllumit, ai më ftoj për ta prezantuar librin. Promovimi u bë në Tiranë. Kadareja kishte ardhur posaçërisht nga Franca për këtë promovim. Kisha punuar gati një javë për të përgatitur një tekst për këtë libër, dhe isha përpjekur për të gjetur sekretin e këtij libri. Kur më takoi para promovimit më tha: -Pashë Zotin mos u lodh se ta them unë sekretin i cili është: “E kam shkruar pa inat”. Memorialistikës nuk i ka hije të ketë inatçor, është mesazhi që përcjell ky postulat i mrekullueshëm. Ka vite që po punoj për të shkruar një roman për At Zef Pllumin, pasi ai është shumë më i madh sesa ne e njohim. Kultura gjithashtu e personifikon Lezhën, ashtu si dhe deti, historia dhe turizmi”.
Ndërsa pjesën e leximit nga krijimtaria e At Zef Pllumit e ka nisur Angjelina Gjeka, mbesa e tij, e cila ka falenderuar organizatorët për zhvillimin e këtij takimi, dhe më pas kanë vijuar, Lulzime Celami, Salvador Gjeçi, Lula Lleshi, Nikoleta Prendi, gjimnazisti Alban Nikolli, nxënëset Esteri Ndreka dhe Gossiko Ndreu.
At Zef Gjeto Pllumi u lind më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhës. Kur ishte 7 vjeç hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, kompozitori Martin Gjoka, Gjon Shllaku etj. Aty mori formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja; latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, si dhe greqishten e vjetër. Kreu maturën në liceun “Illyricum” në vitin 1943. Më 14 dhjetor 1946, kur ishte vetëm 22 vjeç u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg (15.10.1946-15.10.1949). Dënimin e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Pasi u lirua nga burgu shkon herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar dhe caktohet në fillim si i besuar për t’u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet rrjesht shërbeu si meshtar i Dukagjinit, në zonën më të thellë-Shosh. Në vitin 1967, pas prishjes dhe shkatërrimit të kishave, pasi atij revolucioni të çmendur dhe shkatërrues të kulturës kombëtare arrestohet dhe për 23 vjet të tjera (27.9.1967-11.4.1989) dhe vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme në Spaç, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Gjithsejt kryen plot 25 vjet burg.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë, si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve të diktaturës. Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje” etj. Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të Át Gjergj Fishtës, fillimet e gërmimeve për varrin e të cilit filluan më, 13.11.1995. Fatmirësisht u gjetën një pakicë eshtnash shpëtuar prej dhunimit masiv që i është bërë varrit të Fishtës gjatë kohës së komunizmit, pasi lakenjtë e kuq edhe eshtrat e të madhit At Gjergj Fishta i trishtonin edhe nga toka. At Zef Pllumi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” në vitin 2006 nga Presidenti Alfred Moisiu. Po në vitin 2006, Át Zef Pllumi merr çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë…. -“Juria paska pranuar edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s’i sheh”, pat deklaruar At Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit. Ai vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në Spitalin “Gemelli”, Romë të Italisë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër, ku pushon në jetën e pasosur.