Zvarritja e çështjes gjyqësore kërcënon zbulimet arkeologjike pranë ‘Velierës’

Gjykata e Apelit mund t’i japë Bashkisë së Durrësit brenda javës të drejtën për të rifilluar punimet në zonën arkeologjike për ndërtimin e “Velierës”, ndërkohë që edhe pas katër muajsh, Gjykata Administrative nuk ka zhvilluar asnjë seancë për të shqyrtuar padinë e Shoqërisë Civile kundër projektit të shumëdebatuar.
Gjykata e Apelit në Durrës do të vendosë të premten lidhur me kërkesën e Bashkisë së qytetit bregdetar, e cila synon rifillimin e punimeve në territorin e zbulimeve arkeologjike të projektit “Veliera”, por ndërkohë padia e paraqitur disa muaj më parë nga Shoqëria Civile në Gjykatën Administrative, që kërkon bllokimin e plotë të punimeve, është ende larg shqyrtimit.
Mirela Jorgo, avokate e Shoqërisë Civile, tha për BIRN, se që nga qershori i këtij viti, kur Gjykata vendosi ta gjykojë çështjen me një trupë prej tre gjyqtarësh, nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore për kërkesën e tyre. Megjithëse, siç shpjegon avokatja, rregullorja përcakton një vijueshmëri të seancave në çdo 10 ditë. “Miratimi i emrave të dy prej gjyqtarëve ka vijuar javë me radhë, në kurriz të një vendimi që vazhdon të zvarritet”, tha Jorgo.
Sipas avokates, procedurat e zgjatura të Reformës në Drejtësi e kanë bllokuar formimin e trupës së gjyqtarëve për disa javë, por vonesa më e madhe vjen “nga mungesa e dëshirës për ta trajtuar si duhet këtë çështje”. Në krahun tjetër apelimi i Bashkisë kundër një vendimi të Gjykatës së Faktit, që pati pezulluar punimet në atë që quhet Zona A e riskut arkeologjik dhe ku janë zbuluar edhe mure të kohës romake e osmane dhe objekte arkeologjike, po ecën më shpejt dhe nëse vendimi i të premtes është në favor të Bashkisë punimet mund të rifillojnë në pak ditë.
Punimet për zbatimin e këtij projekti kanë nisur në dhjetor të vitit të kaluar, por pas zbulimit të disa objekteve arkeologjike dhe pjesëve të disa mureve, Shoqëria Civile organizoi një sërë protestash kundër tyre dhe po ashtu kërkoi bllokimin e punimeve e në Gjykatë. Gjykata e Faktit vendosi që punimet në krahun me risk arkeologjik të ndërpriteshin në shkurt të këtij viti, ndërsa çështja në themel po shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Ndërkohë përfaqësuesit e Shoqërisë Civile thonë se, Bashkia po kërkon ligjërisht anulimin e vendimit gjyqësor të shkurtit. Në këtë zonë pas vendimit të Gjykatës, ndërhyrja e ndërtuesve ka qenë minimale. “Një vendim i pritshëm pas dy ditësh nga Gjykata e Apelit pro Bashkisë do t’i japë mundësi firmave ndërtuese, të vijojnë pjesën e fundit të punimeve madhore, që kanë mbetur ende pa u zbatuar”, thotë Mirela Jorgo.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë tashmë i ka miratuar emrat që plotësojnë grupin prej tre gjyqtarësh”, tha më tej znj. Mirela Jorgo, “dhe ne jemi në pritje të seancës përfundimtare dhe të vendimit përkatës”.
Edhe më herët gjatë këtij viti dhe pas fillimit të përplasjeve ligjore me Bashkinë Durrës organizatat joqeveritare që pretendojnë se projekti dëmton historinë e qytetit dhe një zonë me vlera arkeologjike, janë ankuar për vonesë të sistemit të drejtësisë.
Padia ligjore e Shoqërisë Civile ka nisur thuajse menjëherë me zbulimet arkeologjike të muajit shkurt në krahun verior të projektit të “Velierës”. Përfaqësuesit e saj arritën të bllokojnë punimet, duke ruajtur fortifikimet e zbuluara, e duke penguar njëkohësisht edhe realizimin e plotë të projektit të shpallur nga Bashkia.
Në maj të këtij viti, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë vendosi ruajtjen dhe integrimin e objekteve të zbuluara, duke ia lënë si detyrë Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Një vendim që paraqet pjesërisht edhe pozicionin e Ministrisë së Kulturës për të ardhmen e monumentit të zbuluar.
Sidoqoftë, investitori vijoi realizimin e projektit, duke përfunduar nënkalimin e automjeteve, që nis pranë ish-hotel “Vollga” dhe përfundon pranë Bankës Kombëtare Tregtare. I gjithë ky territor i përket zonës B të riskut arkeologjik, që ofron më pak mundësi zbulimesh, ndërsa në zonën A ku kanë dalë në sipërfaqe fragmente të mureve romake dhe pjesë nga fortifikimi osman, punimet janë ndërprerë me një vendim të Gjykatës së rrethit gjyqësor të Durrësit.
“Rifillimi i punimeve në terren edhe në zonën arkeologjike, si dhe zvarritjet disamujore të Gjykatës për të vendosur mbi kërkesën e Shoqërisë Civile mund ta vështirësojnë vijimësinë e procesit”, thotë Jorgo.
Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile ngulmojnë se jo vetëm në Zonën A të rriskut arkeologjik, ku janë evidentuar zbulimet, por edhe në Zonën B pranë hyrjes së portit mund të ketë elementë të dëmtuar të vlerave arkeologjike. “Ne presim vendimin e Gjykatës së Apelit, por nuk do të pajtohemi me të, nëse ai do të favorizojë projektin e Bashkisë së Durrësit”, tha Jorgo.
Sipas Bashkisë së Durrësit, sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metra katror dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katror. Ndërsa vlera e të gjithë këtij projekti arrin rreth 6 milionë dollarë. Ai është pjesë e të ashtuquajturës rilindje urbane, që përfshin rikonstruksione dhe ndërtime të shesheve të disa qyteteve, të cilat shpesh janë bërë objekt debati.

Gëzim Kabashi