Trump, javën e ardhshme në Porto Riko

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se do të vizitojë më 3 tetor Porto Rikon.
“Porto Riko ka nevojë për shumë para. Do të shkoj atje të martën, kjo duket të jetë dita më e përshtatshme që nuk ndërpret punën dhe përpjekjet e punonjësve të emergjencës për të ndihmuar njerëzit”, u tha Presidenti Trump ligjvënësve, ndërsa i njoftoi për vizitën që vjen rreth dy javë pasi uragani Maria shkatërroi territorin e ishullit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të rrisë fondet për Porto Rikon për të ndihmuar në heqjen e gërmadhave të shkaktuara nga uragani, si dhe forcuar masat mbrojtëse në rast emergjencash, përfshirë ndihmën e drejtpërdrejtë federale për 180 ditë.
Menjëherë më pas guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello shkroi në Twitter se informoi presidentin për situatën në terren dhe se e kishte falënderuar atë për përgjigjen e shpejtë ndaj situatës së krijuar atje.