Sistemi VAR, luhet më pak dhe më me efektivitet

Përdorimi i sistemit VAR në disa nga kampionatet elitare në Europë siç janë Bundesliga dhe Seria A, nuk ka mundur t’i sheshojë të gjitha polemikat përsa u përket gabimeve të gjyqtarëve apo efekteve në kohëzgjatjen e ndeshjes. Togfjalëshi më të përdorur në këto javë të fundit është padyshim “koha efektive”. Mirëpo në bazë të një krahasimi të gjashtë javëve të para të Serisë A në këtë sezon me ato të sezonit 2016-2017, është arritur në konkluzionin se efekti i përdorimit të sistemit VAR është pozitiv përsa i përket kohëzgjatjes së ndeshjeve në total dhe lojës efektive.
Në sezonin aktual, një takim në Serinë A zgjat mesatarisht 95 minuta e një sekondë, ndërsa koha efektive për çdo ndeshje është 51 minuta e 10 sekonda, ose 53.5% e kohës totale. Ndryshimet me të dhënat e një sezoni më parë janë minimale, por gjithsesi me efekt pozitiv. Në gjashtë javët e para të Serisë A për 2016-2017 është luajtur mesatarisht 96 minuta e 5 sekonda, me kohë efektive 51 minuta e 2 sekonda, ose 52.4%.
Kjo do të thotë se, përdorimi i sistemit VAR, deri tani nuk ka patur një efekt real mbi sasine e minutave të luajtura për çdo ndeshje. Madje edhe pse ndryshimi është shumë i vogël, sot luhet më pak minuta në total, por më shumë lojë efektive. Të dhëna këto që hedhin poshtë kritiket e VAR-it.