Montella: Moment i vështirë

Në vigjilje të sfidës që kuqezinjtë e Milanit presin të zhvillojnë me kroatët e Rijekës në Europa League, trajneri Vincenzo Montella ishte në dispozicion të gazetarëve në një konferencë për shtyp. Trajneri e nisi fjalën e tij me një falendrim për drejtuesit e shoqërisë kuqezi, si dhe një përshëndetje të ngrohtë për Emanuele Marran, ish-përgatitësi atletik i kuqezinjve, të cilin e etiketoi si një mik dhe bashkëpunëtor shumë të ngushtë.
Falenderoj Fassonne dhe Mirabellën që më qëndrojnë gjithnjë pranë dhe më kanë lënë të lirë në zgjedhjet e mia. Si në rastin e Marras. Personalisht e konsideroj si një vëlla, por fatkeqësisht në aspektin profesional nuk e kishim më sintoninë dhe nuk ndanim më të njëjtin vizion, çka na krijoi vështirësi. Vendimi që mora ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Sa i takon pasardhësit, kam një preferencë dhe jam në pritje të përgjigjes së tij. Pas kritikave të forta që mori pas disfatës në Genoa përballë Sampdorias dhe faktit se gjithmonë në humbje qëndron i qetë Montella u shpreh: Kanë qenë të shumta kritikat që kam marrë ditët e fundit, por unë besoj se jam një njeri i ekuilibruar. Rruga në të cilën po eci besoj se është ajo e duhura dhe realisht nuk ndihem në vështirësi. Unë jam një luftëtar nga natyra dhe mendoj se në dy sfidat e rradhës me Romën dhe Interin mund të bëjmë mirë. Tani duhet të ecim përpara. Me Milanin që në kampionat nuk e kam luksin për të humbur pikë edhe koha që i ka mbetur Montellës për të bërë mirë duket se është më e kufizuar. Gjithsesi, trajneri e argumenton kështu rënien e rendimentit:
Shumë prej lojtarëve nuk janë mësuar të luajnë çdo tre ditë, faktor që duhet të marr në konsideratë kur bëj zgjedhjet e mia. Në Genoa u pa një skuadër e dobët në aspektin psikologjik, por ju siguroj se jemi të vendosur për ta superuar këtë moment negativ. Rijeka nuk është një skuadër e lehtë për t’u përballur, sepse ka lojtarë që fizikisht qëndrojnë shumë lart, ndaj do na duhet të djersijmë për të marrë fitoren. Edhe zhgënjimin e tifozëve e kuptoj, por në Europa League po ecim mirë. Në një farë mënyre i kishim parashikuar dhe këto vështirësi, por jam i bindur se do t’i superojmë të gjitha.
Pas merkatos mbresëlënëse që Milani ndërrmori këtë verë, përgjegjësia që iu ngarkua Montellës ishte e madhe ashtu sikundër edhe pritshmëritë ndaj teknikut, që ishte i vetëdijshëm për kohën e limituar që kishte në dispozicion për të organizuar gjithçka. Lidhur me grupin që tashmë ka në dispozicion, Montela shton: Për sa i takon merktos nuk kam as dyshimin më të vogël në punën e bërë dhe efektivitetin e saj. Kemi bërë disa lëvizje të rëndësishme, duke marrë lojtarë që shumë shpejt do të kthehen në kampionë. Kjo skuadër është e destinuar për t’u rritur gjatë 5 viteve të ardhshme, ndoshta edhe pa mua.