Kapet me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro shqiptari në Itali

Policia italiane kapi një shqiptar me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro në Milano. Bëhet fjalë për G.C., 34 vjeç, V.R., 27 vjeç dhe E.N., 37 vjeç. Çifti është gjetur me 11.7 kg marijuanë dhe 19.900 euro, ndërsa shqiptari me 2 kg kokainë dhe 11 mijë euro, një pistoletë të vjedhur me më shumë se 50 plumba dhe material për paketimin e dozave të drogës.
Ndërhyrja e policisë nisi në zonën e Corvettos ku u pikas një “Nissan” i zi i dyshimtë me në bord shqiptarin. Duke ndjekur automjetin, agjentët kanë parë shoferin të takonte një bashkëkombës të tij dhe më pas të vijonte rrugën drejt Mignete, ku do të takonte çiftin e italianëve.
Shqiptari ndaloi pranë një vile, u takua me 34-vjeçarin, ndërsa gruaja priste me makinë jashtë dhe më pas të gjithë u larguan duke u shpërndarë. Agjentët kanë ndjekur si çiftin italian ashtu edhe 37-vjeçarin shqiptar. 27-vjeçarja italiane e padënuar më parë dhe 34-vjeçari italian me precedentë për grabitje dhe shpërndarje droge u ndaluan nga policia, e cila ushtroi kontroll në vilën ku u bë takimi me shqiptarin.
Shtëpia, ashtu si edhe makina “BMW” ishte në emër të gruas dhe në brendësi agjentët gjetën në një dhomë 7 pako me marijuanë, më shumë se 1 kg drogë secila si dhe 9 pako të tjera me 9 zarfa sërish me marijuanë, në total 11.7 kg. Në një dollap, të futura në një bluzë u gjetën 19.900 euro para CASH në prerje 100 dhe 50 euro. Shqiptari u ndalua dhe u arrestua, ndërsa ishte duke u drejtuar për në San Giuliano Milanese pas takimit me çiftin. Ai kishte 2000 euro si dhe 3 celularë.
Nga kontrolli i banesës së tij, u gjetën 2 kg kokainë të fshehur në një vrimë në muret e dhomës së gjumit të ndarë në dy pako, një armë e vjedhur tre vjet më parë në Brescia, 54 fishekë të kalibrit 9.21 dhe një i kalibrit 7.65, si dhe 9000 euro në para CASH. Në shtëpi, ai gjithashtu kishte pajisje të plotë për dozimin dhe një makinë për numërimin e parave. Shqiptari ka rezultuar me precedentë të shumtë edhe për shpërndarje, një për rrëmbim personi në vitin 1999, dhe një për vrasje.