Hungaria kërcënon Ukrainën

Hungaria ka shprehur përkushtim për ta bllokuar integrimin e mëtejshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian, pasi Kievi e ka miratuar një legjislacion kundërthënës arsimor, për të cilin kritikët vlerësojnë se i kufizon mësimet e gjuhëve të minoriteteve në shkolla.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha dje se pasojat për Kievin do të jenë të “dhembshme”, pasi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e ka nënshkruar legjislacionin, me të cilin parashihet që gjuha ukrainase të mësohet prej klasës së pestë në shkollat shtetërore.
“Hungaria do t’i bllokojë të gjithë hapat brenda Bashkimit Evropian, që do të mund të ishin hapa përpara në procesin integrues evropian të Ukrainës”, tha ministri Szijjarto në komentet për agjencinë hungareze të lajmeve, “MTI”, që janë postuar edhe në faqen në internet të qeverisë së Hungarisë.
“Ne mund të garantojmë se e gjithë kjo do të jetë e dhembshme për Ukrainën në të ardhmen”, ka theksuar Szijjarto.
Këto komente u bënë dy muaj para Samitit të Partneritetit Lindor në Bruksel. Propozim-deklarata që Radio Evropa e Lirë e ka pasur në dispozicion javën e kaluar, sugjeron se samiti do të dominohet nga çështjet e lidhjes së BE-së me Ukrainën dhe dy shtete të tjera ish-sovjetike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Legjislacioni thekson rolin e gjuhës ukrainase si shtetërore
Ligji i ri në Ukrainë nuk e ndalon mësimin në gjuhët e tjera; nxënësit mund të mësojnë edhe mëtutje në gjuhët e tyre amtare si lëndë e ndarë.
Poroshenko ka thënë se kjo çështje “e thekson rolin e gjuhës ukrainase si gjuhë shtetërore në procesin mësimor” dhe “siguron mundësi të njëjta për të gjithë”.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç, ka kërkuar nga Ukraina që legjislacionin e ri ta dërgojë në Këshillin e Evropës, për të siguruar atë që ajo e ka cilësuar si “opinion të ekspertit” se ky ligj i plotëson standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo ka theksuar se një legjislacion i tillë “duhet të balancohet në mënyrë të kujdesshme” ndërmjet qëllimit për statusin e gjuhës shtetërore për gjuhën ukrainase dhe “nevojën për t’i mbrojtur gjuhët e pakicave dhe ato rajonale”.
Sigurimet e presidentit Poroshenko për këtë ligj nuk i kanë zbutur shqetësimet e komuniteteve etnike në Ukrainë, përfshirë polakët, rumunët dhe hungarezët.
Legjislacioni i Ukrainës, po ashtu, i ka zemëruar edhe zyrtarët e vendeve të tjera fqinje të Ukrainës.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se legjislacioni “në mënyrë drastike e kufizon” qasjen e grupeve të minoriteteve në gjuhët e tyre amtare përkatëse. Në shenjë proteste ai e ka anuluar një vizitë të paraparë për në Kiev.
Rusia ishte veçanërisht e ashpër në kritikat e saj, duke theksuar se legjislacioni ka për qëllim “që me forcë të krijojë një regjim njëgjuhësor në shtetin kombëtar”.