Ballina Ekonomi BMI: Qeveria Rama po rrezikon integrimin në BE

BMI: Qeveria Rama po rrezikon integrimin në BE

Shqipëria rrezikon të mos integrohet në BE as brenda dekadës tjetër dhe ekonomia do të ngadalësohet. Kështu shprehet në një raport BMI Reasearch, një kompani e grupit Fitch (një prej tre agjencive më të rëndësishme të vlerësimit të riskut të kreditit në botë) për riskun që paraqet Shqipëria. Duke u ndalur tek reforma në gjyqësor thuhet, “Mbeten interesa vetjakë të lidhura me reformën që e kundërshtojnë procesin e saj, por kjo (reforma) është një kërkesë kyçe për pranimin në Bashkimin Europian, dhe për këtë arsye ne mbetemi skeptikë që Shqipëria do t’i bashkohet BE brenda dekadës tjetër”, thuhet në të njëjtin raport. Në fakt, Shqipëria është në përpjekje për të hapur negociatat, të cilat deri më tani nuk kanë pasur dritë të gjelbër nga ana e BE-së. Gjithsesi, përpara hapjes vendi ynë duhet të plotësojë detyrat që i janë caktuar që nuk lidhen vetëm me hapat e zbatimit të Reformës në Drejtësi. “Një kontraktim i vazhdueshëm i sektorit privat dhe një parashikim për inflacion të dobët do të thotë se ne shohim Bankën e Shqipërisë të mbajë një politikë monetare lehtësuese në 18 muajt e ardhshëm edhe nëse rritja ekonomike mund të përshpejtohet”, vlerëson raporti. BMI parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me 3.6% në vitin 2017, por ai pret që zgjerimi të ngadalësohet në 3.3% vitin e ardhshëm. Kjo është në linjë të kundërt me pritshmëritë e qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare që parashikojnë që rritja ekonomike t’i afrohet 4% në afatin e mesëm.

Exit mobile version