Të karikuar për eliminatoret

19-vjeçarët kuqezi janë gati për eliminatoret e Euro 2018 që do të zhvillohen në Finlandë. Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani ka nisur përgatitjet në Durrës për tri ndeshje të rëndësishme, fillimisht me Ukrainën dhe më pas me Norvegjinë dhe Malin e Zi. Rama dhe Berisha zbresin në fushë, sigurisht jo ata të politikës, por të futbollit sepse në konferencën e shtypit, Bogdani preferoi të përzgjidhte dy nga lojtarët simbol të kësaj skuadre.
Kapiteni Rezart Rama shprehet i gatshëm për të përballuar me sukses këto tri sfida. Ai është optimist dhe shton se miqësoret me Gjeorgjinë e kanë ndihmuar skuadrën të konsolidohet edhe më shumë. Shqipëria sfidon Ukrainën në “Selman Stermasi” dhe kapiteni kërkon mbështetjen e tifozëve. “Duhet të vijnë të gjithë tifozët të na mbështesin sepse janë lojtari i 12 në fushën e lojës”, tha Rezart Rama.
Në vijim të konferencës së shtypit, mbrojtësi përqendrohet te aventura e tij te Olympiacos, duke e pranuar se ish-trajneri i bardhekuqve, Besnik Hasi i ka dhënë një ndihmë të madhe. “Firmosa me Olympiacos, jam shumë i gëzuar dhe duhet ta tregoj në fushën e lojës sepse kontrata nuk do të thotë shumë nëse nuk shprehem në fushë. Hasi na ka ndihmuar, ishte trajner shumë i mirë”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe mesfushori Elvi Berisha, sipas të cilit, grupi i bashkuar kuqezi mund t’ia dalë mbanë në këto tri ndeshje.
Berisha: “Mendoj se janë tri ndeshje shumë të vështira, por kjo nuk do të thotë se kundërshtarët janë më të mirë. Kemi një grup të mirë lojtarësh dhe do të japim maksimumin. Nuk na intereson cila skuadër është në fushë, për ne janë të gjithë të barabartë dhe duhet të marrim maksimumin nga çdo ndeshje”.
Gjatë merkatos së verës, ish-lojtari i Tiranës ka nisur një aventurë të re në Spanjë me Leganes dhe ai e pranon se kjo është një sfidë personale që duhet fituar për t’u rritur si lojtar. “Leganes është një aventurë e fortë, atje ndjehem mirë sepse është ekip i madh dhe shpresoj të jem sa më shpejt pjesë e ekipit të parë. Kur luan në Spanjë është shumë pozitive”, tha ai.