Suso rinovon me Milanin

Pas një fundjave dëshpëruese që solli humbja ndaj Sampdorias, e hëna ka nisur me një lajm të mirë për klubin dhe tifozët e Milanit. Talenti spanjoll Suso ka vendosur të rinovojë kontratën që e mban të lidhur me kuqezinjtë, duke e zgjatur atë deri në vitin 2022. Me kontratën e re që lidh spanjollin me Milanin, Suso do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon, ndërsa konfirmohet se kuqezinjtë kanë vendosur edhe një klauzolë të majme, për klubet e interesuara për shërbimet e tij.
Suso u bë pjesë e Milanit, në vitin 2015, pasi erdhi nga Liverpool, ndërsa më 2016-ën kaloi një aventurë fantastike te Genoa, në huazim. Ai ka luajtur 46 ndeshje për kuqezinjtë, ka shënuar 9 gola dhe shikohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm për të çuar para projektin e Milanit. “Jam shumë i lumtur. Gjithmonë kam thënë se dua të qëndroj këtu”, deklaroi Suso, pasi firmosi kontratën e re me kuqezinjtë.