Ballina Sociale Skandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO

Skandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO

Shtatë muaj nga marrja e vendimit për bllokimin e punimeve të projektit “Veliera” në Durrës në zonën arkeologjike A, Gjykata Administrative ende nuk ka dhënë asnjë vendim mbi fatin e këtij investimi. Zvarritja e vendimit nga ana e kësaj gjykate bëhet me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë autoritetit të Bashkisë së Durrësit në projektin e saj të “Velierës”, por shoqëria civile nuk do të lejojë këtë gjë!”
Me këtë denoncim ka dalë para medieve ambientalisti Sazan Guri, që së bashku me pesë persona të tjerë nga Durrësi dhe Tirana, thanë se nuk do të lejojnë që zbulimet arkeologjike të varrosen poshtë ndërtimit. Sazan Guri i bëri thirrje Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës, të zhbllokojë procesin gjyqësor që sipas tyre mbahet i bllokuar qëllimisht. Gjykata Administrative u krijua që të merrte nën shqyrtim çështjet administrative me urgjencë, por kjo gjykatë po i vonon proceset me muaj të tërë.
Për bllokimin e punimeve të fazës së dytë të projektit “Veliera” ka edhe një vendim nga Gjykata e Apelit në Durrës, ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çfarë do të bëhet me projektin në zonën arkeologjike. Sazan Guri tha se çështjen e ka dërguar edhe në UNESKO. Një dosje e veçantë i është dërguar autoritetit më të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë Botërore të Kulturës. Sipas Sazan Gurit, pritet që ditën e nesërme, gjykatësi Petraq Curri të japë një vendim në lidhje me këtë projekt, dhe sipas tij, dyshohet që mund të ketë manipulime.
Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

Exit mobile version