Si Drejtori i Hipotekave takohej me Shullazin për çështja ‘Vollga’

Ish-drejtori i Hipotekave, Ilirjan Muho ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit. Muho ka dëshmuar në lidhje me regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit. Muho deklaroi para Gjykatës se është takuar me Emiljano Shullazin dhe Ylvi Beqjan, të cilët i janë prezantuar si bashkëpronarë të ish-hotel “Vollgës”. Në takim është diskutuar për pronësinë e objektit, pasi Hipoteka kishte vendosur për ta pezulluar procedurën për 30 ditë, me argumentin se një palë tjetër kishte shfaqur pretendime në Gjykatën e Lartë.
Ish-Kryeregjistruesi sqaroi para togave të zeza se ka pirë një kafe me ta në një lokal në zonën e “Parkut të Autobusëve”. Më pas, Ylvi Beqja ka shkuar në zyrën e tij, së bashku me dokumentet dhe ka qenë zyra juridike, ajo që është marrë me dosjen. Gjatë seancës, ai është shprehur se kjo pronë ishte regjistruar në Hipotekë në kohën kur ai kishte qenë me pushime dhe nuk kishte ndonjë informacion në lidhje me të. Siç dihet, Shullazi i mori 30% të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” nga biznesmeni Ylvi Beqja me anë të kërcënimeve.
“Regjistrimi i Vollgës është bërë gjatë kohës që unë kam qenë me pushime. Pasi jam kthyer, kam kërkuar takim me zv/drejtorin e Hipotekave, Besnik Hysenbelliu dhe drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja. Kam mësuar se, Hysenbelliu kishte firmosur një shkresë që i jepte “ok” Hipotekës së Durrësit për të vijuar veprimet për të hipotekuar “Vollgën”. Pasi jam njohur me rastin, kam vendosur që edhe pse ishte regjistruar “Vollga” në Hipotekë të pezulloheshin veprimet, duke mos lejuar tjetërsimin e pronës, pavarësisht se ajo ishte regjistruar në emër të Ylvi Beqajt.
Muho pranoi para Gjykatës se ishte takuar me Shullazin. “Jam telefonuar nga Ylvi Beqaj dhe Emiljano Shullazi, të cilët më kanë kërkuar një takim. Fillimisht, më kanë thënë do vish për kafe. Kam shkuar te qendra “Globe” në një lokal aty pranë dhe aty i kam vënë në dijeni që janë pezulluar veprimet dhe se nuk lejohej tjetërsimi i pronës. Pas tri ditësh, ka ardhur Ylvi Beqaj në zyrë bashkë me një avokat dhe ka sjellë dokumentacionin. Pasi jam njohur me dokumentet ia kam lënë zyrës juridike. Ndërkohë jam telefonuar edhe nga Alban Dabulla, të cilin e kam pritur në zyrë në prani të drejtoreshës juridike dhe drejtorit të Hipotekës së Durrësit, dhe zv/drejtorit të Hipotekës, Hysenbelliu. Gjatë diskutimit, Dabulla ka dalë jashtë kontrollit, duke sharë dhe ofenduar drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Jurgisin. Situata u përkeqësua dhe në këtë moment kam kërkuar që Dabulla të nxirrej jashtë”, deklaroi Muho.
Ish-kryeregjistruesi i Durrësit, Jurgis Çyrbja ka deklaruar më herët se kishte diskutuar disa herë me Muhon për këtë çështje. Sipas tij, shkresa për të kryer regjistrimin e pronës kishte ardhur nga zyra qendrore, e cila më vonë kishte sjellë një tjetër shkresë për kufizim të regjistrimit. “Jam takuar me Shullazin dhe Ilvi Beqajn për regjistrimin e ish-hotel Vollgës. Shullazi më ka thënë nëse të vjen me shkresë nga Zyra Qendrore e regjistron pronën. Kam diskutuar me ish-kryeregjistruesin Ilirjan Muho për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”. Më ka ardhur urdhri nga Hipoteka për ta regjistruar”, deklaroi para Gjykatës, Çyrbja.
Në seancën e djeshme dëshmoi edhe truproja i Ylvi Beqajt, babai i Jani Zakës dhe Fatmir Sinanaj. I ati i biznesmenit Jani Zaka ndryshoi dëshminë e tij. Gjatë hetimeve kishte thënë se është kërcënuar nga Shullazi për çështjen e pronësisë së një parkingu, por dje u shpreh se nuk e njeh fare as Shullazin, as Danin. Ai tha se problemin e ka me Fatmir Sinanajn, i cili sipas tij, nuk i jep hipotekën e parkingut. Prokurori kundërshtoi dëshminë e tij, pasi në hetimet paraprake, Fehmi Zaka ka deklaruar se djali i tij është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, i cili i ka kërkuar ta kalojë pronësinë e parkimit në emër të të pandehurit Blerim Shullazi. Emiljano Shullazi nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore.