Koncesioni i ri me barnat dhe ryshfeti 32.6 milionë dollarë

Koncesioni i pullave të ilaçeve merr përmasat e një skandali të rëndë korruptiv, teksa qeveria shqiptare po bën biznes me një kompani të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni në disa shtete të botës. SYRI.net zbardh dokumente që faktojnë se SICPA është dënuar për korrupsion dhe kërcënim të sigurisë kombëtare në Brazil dhe Kenia, ku ka paguar dhjetëra miliona dollarë ryshfete tek qeveritarët për të fituar koncesionin e pullave fiskale. Skandali shpërtheu në 1 korrik të vitit 2015, kur policia braziliane mësyu në zyrat e kompanisë zvicerane. Sipas agjencisë prestigjioze “Reuters”, SICPA kishte paguar 32.6 milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e Ministrisë së Financave të Brazilit, për të fituar koncesionin e pullave fiskale të birrës dhe pijeve alkoolike.
Pas hetimit, Marcelo Fisch, njëri prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë braziliane të Financave që kishte përfituar ryshfet u dënua me burg, ndërsa kontrata e koncesionit me SICPO u prish. Por Brazili nuk është rasti i vetëm, ku kompania zviceriane është përfshirë në korrupsion. Në Kenia, ku kompania ka marrë menaxhimin e gjurmimit të mallrave të akcizës, ajo është akuzuar për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe vjedhje në shuma të mëdha.

Koncesioni i ilaçeve

Qeveria shqiptare ka dërguar një projektligj në Parlament, i cili i jep kompanisë SICPA koncesionin monopol të vendosjes së pullave fiskale mbi ilaçet. Por çfarë parashikon ky koncesion. Sipas projektit, kompania do të vendosë pullat mbi çdo ilaç që qarkullon në territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht në Shqipëri konsumohen 40 milionë copë barna në vit. Çmimi aktual që paguhet për pullën fiskale është 0.3 lekë për copë dhe këto të ardhura i shkojnë buxhetit të shtetit. Por me miratimin e koncesionit, çmimi do të rritet me mbi 30 herë, duke arritur 70 euro për 1 mijë copë, ose 9.3 lekë për copë.
Projeksionet e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se, konsumi i pritshëm i barnave pritet të arrijë shumë shpejt në 60 milionë copë në vit. Kjo do të thotë se, përmes koncesionit qeveria po i jep kompanisë SICPA një biznes prej 560 milionë lekë ose mbi 5 milionë dollarë në vit. Por përveç tarifës së pullës, kompania do të arkëtojë miliona lekë të tjera edhe nga shitja e lexuesve të bar-kodeve. Tre mijë farmacitë që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri do të jenë të detyruara me ligj të blejnë nga kompania aparatet e posaçme, të cilët do të lexojnë bar-kodet e pullave fiskale të vendosura mbi ilaçet.
Bëhet fjalë për një koncesion me vlerë qindra milionë euro, para që do të paguhen nga qytetarët e sëmurë shqiptarë, të cilat qeveria po ja jep me ligj një kompanie të përfshirë në afera të rënda korruptive gjithandej nëpër botë.
Aktualisht çmimi i pullës fiskale është 6 lekë për pullë, qeveria ka vendosur ta ndryshojë çmimin në 2,4 për qind të çmimit. Kjo do të thotë se do të rritet çmimi i pullës fiskale për çdo bar më të shtrenjtë se 240 lekë. Për barnat e shtrenjta, çmimi i pullës do të rritet në mënyrë të ndjeshme deri në dhjetëra herë. Kjo rritje do të çojë patjetër në rritjen e çmimit të barnave dhe nëse kemi parasysh përvojën e mëparshme, rritja do të jetë më e madhe se rritja e çmimit të pullës, raporton “Exit”.
Ndikimi më i madh do të jetë për pensionistët, të cilët jo vetëm harxhojnë më shumë barna se të tjerët, por janë gjithashtu shtresa me të ardhura më të pakta. Qeveria e justifikon ndryshimin e çmimit me ndryshimin e llojit të pullës që do të përdoret-pullës do t’i rritet sistemi i sigurisë. Por, pas këtij justifikimi, fshihen shkelje flagrante të ligjit që përbëjnë një skandal të pastër.
Tani qeveria po ndërmerr një hap krejtësisht të paligjshëm, duke ndryshuar një kontratë koncesionare në mënyrë të paligjshme. Ndryshimi i çmimit të pullës cënon krejtësisht konkurrencën, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e konkurrimit për dhënien e koncesionit: është skandal që fituesi të përzgjidhet në bazë të çmimit më të ulët dhe pas përzgjedhjes, fituesit të lejohet të aplikojë një çmim më të lartë.
Skandali është më i vjetër sesa ndryshimet e fundit: në vitin 2011 koncesionari e fitoi konçesionin, duke ofruar çmimin 2,4 lekë për pullë; por në vitin 2013 qeveria, në mënyrë të pashpjegueshme dhe me gjasa korruptive, e rriti çmimin në 6 lekë, gati tre herë më të lartë. Kjo është një rritje skandaloze në më pak se dy vjet, pasi konçesionari kishte marrë përsipër ta ofronte pullën me çmimin prej 2,4 lekë.

Nga 200 mijë euro në vit, me formulën e re koncesionari do përfitojë 5.3 milionë euro

Nëse qeveria justifikohet se do të ndryshojë llojin e pullës fiskale të barnave që do përdoret ç’ka është e paqartë dhe shumë e dyshimtë, nëse është e vërtetë–ajo duhet të zhvillojë një procedurë të re koncesionare, pasi bëhet fjalë për një produkt tjetër nga ai i koncesionit fillestar dhe jo të ndryshojë kontratën ekzistuese.
Por skandali më i madh është vendosja e çmimit të pullës si përqindje dhe jo me vlerë fikse. Edhe pse kostoja e pullës dhe e shërbimit të monitorimit të saj është fikse, çmimi i pullës do të ndryshojë në varësi të çmimit të barit. Aktualisht të ardhurat e kompanisë nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit. Ndërsa me formulën e re koncesionari do të marrë rreth 5, 3 milionë euro.
Skandali thellohet, pasi me ndryshimet e reja të bëra nga qeveria, koncesionarit i garantohet kjo shumë edhe nëse vlera e tregut farmaceutik në vend bie nën vlerën aktuale prej 128 milionë euro në vit. Ndryshe nga më parë, kur pagesën e pullës fiskale e bënin vetë importuesit apo prodhuesit e barnave, kontrata e re e propozuar nga qeveria parashikon që pagesa e koncesionarit do t’i bëhet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Kontrollit të Pajisjeve. Koncesionarit kontrata e re i jep të drejtën të ndërpresë furnizimin me pulla fiskale për barnat, nëse Agjencia Kombëtare e Barnave nuk i paguan atij të gjitha faturat. Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e këtij bllokimi. Kontrata, madje nuk i njeh koncesionarit asnjë përgjegjësi për vonesa apo probleme të shkaktuara prej vetë tij në përmbushjen e detyrimeve të kontratës, të cilat, në fakt, ndikojnë në ecurinë e tregut të barnave në vend.
Çfarëdo që të ndodhë, sido që të punojë, koncesionari ka të garantuar pagesën e tij dhe nuk ka asnjë detyrim tjetër. Në të vërtetë, të gjitha të dhënat të bëjnë të besosh se ndryshimi i kontratës, i lënë qëllimisht për ditën e fundit të sesionit të Kuvendit për vitin 2016, është bërë për përfitime klienteliste dhe korruptive.