Qeveria rrezikon të drejtën e studimit 8 mijë të rinjve

Rreth 8 mijë studentë shqiptarë që kërkojnë dhe përmbushin kushtet për të studiuar jashtë shtetit po penalizohen nga qeveria, duke mos përfituar dot të drejtën e studimit. E gjithë kjo amulli e krijuar ndodh për mungesën e vetëm një vule, rast ky që dëshmon me mungesën akute të seriozitetit të shtetit shqiptar sidomos kur bëhet fjalë për studimin e të rinjve. Aktualisht nuk ka asnjë lëvizje dhe reagim për dhënien e një zgjidhjeje ndaj situatës së krijuar, ndërkohë që studentët në pritje për t’u larguar nuk kanë ku të drejtohen.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka akuzuar dje qeverinë teksa ngre alarmin se rreth 8000 studentë shqiptarë rrezikojnë studimet e tyre me dhe pa bursë jashtë vendit, për shkak të mungesës së vulës apostile në dokumentet e tyre. Pengesë për këtë sipas Boçit është bërë mosmarrja përsipër e asnjërës nga ministritë aktuale, të përgjegjësisë për të lëshuar këtë vulë. Kjo vjen si pasojë e riorganizimit total të ministrive të mëparshme dhe reduktimit e shkrirjes së tyre.
“Gati 8000 studentë shqiptarë që kërkojnë të studiojnë jashtë vendit si dhe ata që kanë fituar një bursë, por dhe qytetarë të tjerë, rrezikojnë gjithçka vetëm për një vulë.
Bëhet fjalë për vulën apostille që lëshonte ish-Ministria e Punës e Çështjeve Sociale. Pa këtë vulë bëhet e pamundur legalizimi i dokumentave në Ministrinë e Jashtme (desh harrova…) dhe të Europës.
Thënë ndryshe shtetin tonë “vulëhumbur”, nuk i gjendet vula apostile. Me çorganizimin e organizuar të kabinetit të ri qeveritar, qytetarët nuk kanë derë ku të shkojnë për hallin e tyre. Ndërkohë, asnjë nga ministritë e mundshme nuk e merr përsipër një detyrim të tillë, megjithëse na paskan biseduar për këtë disa orë rresht “me dyer të mbyllura”. Hajde e thuaj po deshe pastaj që këta po qeverisin pa qytetarët?!” shprehet Boçi.
Është hera e parë që ndodh, që mijëra studentë të penalizohen në mënyrë skandaloze për mungesën e një vule, ndërkohë që një situatë e tillë skandaloze rrezikon t’u bllokojë të rinjve mundësinë për të nisur studimet e tyre jashtë vendit. Nga ana e Ministrisë së Arsimit ende nuk ka asnjë reagim dhe asnjë veprim për mundësimin e vulës çka do t’i hapte rrugë të rinjve vijimin e ëndrrës për të studiuar.