Përpjekja e Ramës për të zhbërë shtetin vazhdon!

 

Jorida Tabaku

Qeveria e sotme në pranverën e vitit 2013 votoi Ligjin e Nëpunësit Civil, iu desh shumë kohë për të bindur kryetarin e djeshëm të opozitës që të votonte një nga kushtet e BE-së, shumëkush nga të majtët mendoi se Rama nuk dëshironte t’i jepte suksesin që i takonte qeverisë Berisha. Por, historia provoi diçka edhe më të hidhur. Kryeministri Rama nuk e ka pasur synim integrimin e vendit në BE dhe për vite me radhë u ka shitur shqiptarëve dokrra hiri për përpjekjen e tij mbi integrimin.
E nisi ofensivën e tij ndaj integrimit, duke ndryshuar që ditët e para në pushtet ligjin që po vetë kish urdhëruar ta votonin. Vazhdoi sulmet, duke shkatërruar administratën publike dhe duke zhdukur memorien institucionale, ngarkoi buxhetin e shtetit me miliona dollarë detyrime karshi nëpunësve që i përzuri nga detyra në mënyrë antiligjore.
Pastaj, kur gjithçka dukej se qe e përfunduar kërkoi tepsinë e plotë të qeverisë për të bërë siç ia do qejfi me administratën dhe integrimin e vendit. Sot, thikën për të ndarë pushtetin ia ka dhënë partisë. Punësimet në kundërshtim me ligjin u vërejtën që tek emërimet pa konkurs të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Sipas ligjit të votuar edhe nga PS, këto pozicione janë niveli më i lartë i administratës publike dhe duhet të ndjekin hapat e përshkruara nga ligji për t’i punësuar. Por ligji nuk ekziston!
Prandaj, ndërsa dëgjoni kryeministrin që të ligjërojë në publik se, shqiptarët nuk duhet të kërkojnë punë në shtet, duhet të kini parasysh se ai po ju thotë se “puna në shtet vjen nëse ke teserën e PS-së dhe nëse udhëheqësit e partisë të përzgjedhin për të hyrë”. Për qeverinë, nuk ka rëndësi aftësitë e individit apo dhe meritokracia, qëllimi i qeverisë është ta mbushë administratën me shërbëtorë partie qoftë edhe të nivelit mediokër. Për kryeministrin, kushti i BE-së për një administratë të depolitizuar është një çarje koke, sikundër edhe vetë integrimi në Europë është shndërruar kohët e fundit për të.
Ndërkohë që shpresat e të rinjve dhe qëllimit të një politike mbi 17-vjeçare për të ndërtuar një administratë dinjitoze që jo vetëm të merret me procesin integrues, por edhe të hedhë themelet për një shtet edhe pas shumë vitesh; ato kanë marrë goditjen e rëndë. Përpjekja për të zhbërë shtetin vazhdon!