PD, paketë amendamentesh për organikën e Vetingut

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit hetimor, per nisjen e procedurave te shkarkimit nga detyra te nenkryetarit te KLD Kreshnik Spahiu.

Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka zbuluar se çfarë përmban paketa e propozimeve të PD-së për Reformën Zgjedhore si dhe hapat për procesin e vettingut. Gjatë një interviste mediatike, Alibeaj ka theksuar se, opozita nuk ka kushte për këtë reformë, por ka kërkuar një Kod Zgjedhor, i cili të garantojë zgjedhjet e ardhshme, duke e vënë theksin te votimi dhe numërimi elektronik, si dhe te rritja e peshës së votuesve. “Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje, të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta”, tha deputeti demokrat. Gjithashtu, ai komentoi edhe për shkurtimin e strukturës së organeve të Vettingut nga Kuvendi. Ai tha se PD do depozitojë në seancën e Kuvendit një paketë amendamentesh, të cilat parashohin rikthimin e organikës së propozuar nga organet e Vettingut. “Mbi 95% e shqiptarëve duan drejtësi të pavarur. PS pati shënuar vetë në Kushtetutë pagën e këtyre komisionerëve 6 milionë e më lart. Sigurisht, që kjo krijon mundësi për gjyqtarë të pakorruptueshëm. Organeve të Vettingut u duhet dhënë e gjithë mbështetja e nevojshme. Ne do të ofrojmë amendamente edhe në seancën parlamentare që të propozohet e miratohet nga Kuvendi e njëjta strukturë dhe nivel page siç kanë propozuar organet e vetingut. Dhe mesazhi është, ne japim shpërblimin, ju popullit i jepni shërbimin. Sinjale të verbërisë së Ramës janë ende të forta”, tha Alibeaj.
-Zoti Alibeaj, çfarë përmban paketa e PD për Reformën Zgjedhore? Mazhoranca i ka quajtur kushte…
Eshtë kërkesë për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Historikisht, kohë më parë, ka pasur ndryshime të Kodit dhe është e natyrshme që të update-ohet me zhvillimet elektorale të vendit. Pas zgjedhjeve, rezultati i të cilave nuk ishte i shëndetshëm për ne, që në momentet e para të legjislaturës së re kemi kërkuar ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nuk janë kushte ato që ka propozuar Lulzim Basha. Kusht që ne kërkojmë një iniciativë ligjore, që ne synojmë që ta çojmë votën afër individit që të përcaktojë zgjedhjen e përfaqësuesit të vet. S’është të thuash që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, që ne kërkojmë një sistem zgjedhor, i cili të bazohet te votimi dhe numërimi elektronik. Këto janë premisa bazë të një shoqërie, e cila në vitin 2017 duhet t’i kishte kaluar këto probleme. Ne duam që të ketë sistem zgjedhor, mekanizëm zgjedhor që t’i japë peshën e duhur votuesit shqiptar. Në PD po punon një grup pune për këtë çështje.
-Do kemi një produkt konkret që do qetësojë “gjakrat”?
E pse të mos e kemi? Angazhimi ynë është i sinqertë, real. Ato që Rama i quan tre kushte, ne i quajmë premisa. Aty janë çështje të cilat do duhet të adresohen nga kjo reformë. Një sinjal mund të jetë edhe ai që vjen prej marrëveshjes së 18 majit. Unë besë Ramës nuk i kam, pasi është nga ata që shohin se ku i dalin llogaritë e veta. Shpresojmë që edhe ai, në një moment të maturimit politik për çështje madhore të këtij vendi apo fatin e vet politik, do duhet që herët ose vonë të qaset dhe të bëjë punë të paqta për këtë vend.