Mungojnë librat, nxënësit në Çermë nuk pajisen me tekste

11 shtatori ishte dita e parë e shkollës dhe tashmë të gjithë nxënësit duhet të ishin pajisur me libra. Nuk ka ndodhur kështu në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Çermë, ku rreth 600 nxënës kanë mungesa të theksuara në tekste shkollore. Çdo klasë ka mungesa deri në katër pesë libra, të cilët duhet të ishin marrë që pa nisur sezoni arsimor. Nxënësit shprehen se shitësi i librit ka qenë vetëm një herë për të dhënë tekste dhe kur nxënësit shkojnë në Lushnjë për të marrë libra në magazinën e shpërndarësit ky i fundit u thotë se nuk ka tekste. “Për librat na thonë që duhet të shkoni t’i merrni në Lushnjë dhe kur shkojmë atje, na thonë kanë mbaruar, ose duhet t’i gjeni të vjetra ose fotokopjoini”, shprehen nxënësit. Nxënësit thonë se shpërndarësja e librit ka shkuar, por nuk i kishte të gjithë librat. “Po erdhi kur ishte duke filluar shkolla dhe u shpërndanë librat e klasës së nëntë dhe pastaj s’kishte më. Na mungojnë disa libra nuk ka më”, thonë ata.
Nga ana e tij, drejtori i shkollës jashtë kamerave tha se e njeh problematikën që shkakton mungesa e librave, por kjo vjen si pasojë e shpërndarësit të librit, i cili nuk ka sjellë tekstet që mungojnë. Monopoli i një shpërndarësi të vetëm në rrethin e Lushnjës ndër vite ka sjellë mungesa në libra. Shkolla e Çermës nuk është e vetmja që vuan këtë gjendje, por aty mungesat janë masive edhe dy javë pas nisjes së shkollës.