Mashtrimi i qeverisë me rimbursimin e librave

Jo vetëm që rriti çmimet e teksteve shkollore, por qeveria nuk po rimburson familjet me ndihmë ekonomike në blerjen e librave për fëmijët e tyre. Denoncimet vijnë nga vetë prindërit sipas të cilëve ata po mashtrohen nga strukturat përkatëse që duhet të bëjnë rimbursimin e pagesës së librave shkollorë. “I Nderuar Zoti Berisha jam nga Vlora. Çupa ime është në klasën e 6 me rezultate të shkëlqyera, jetojmë me një ndihmë ekonomike 40 lekë në muaj. Unë jam kryefamiljare dhe pasi brodhëm nëpër Vlorë se mezi i gjetëm dyqanet e librave se ishin mbyllur që të mos paguanin taksat, edhe kuponat mezi na i jepnin, jo hajde sot, nesër jo ta jap, jo nuk më punon kasa etj., na detyronin të merrnim edhe libra që fëmijëve nuk ju duheshin, sot drejtoresha e shkollës jua kishte thënë fëmijëve me të drejtë që pse i blen vetë, lekët ne që jemi me ndihmë ekonomike nuk na i kthejnë psh., Librat kushtuan 76 mijë lekë na japin 20. Tjetra, shkolla ka 15 ditë që ka filluar, fëmijëve u kanë filluar tu grisen librat, me një fjalë arsimi është për tokë”, thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-kryeministri Berisha. Krahas këtij denoncimi, prindër të tjerë kanë denoncuar rritjen e çmimit të teksteve shkollore, paçka se nga ana e Ministrisë së Arsimit u deklarua se çmimet do vijonin të ishin po të njëjtat. Këtë vit, pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë, shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme.