Kapen me drogë në makinë dy shqiptarë në Itali

Dy shqiptarë janë kapur me drogë në makinë në Itali. Teksa po bënin një shërbim normal patrullimi të territorit, patrulla e Skuadrës së Ndërhyrjes së Shpejtë në Modena të Italisë, është ndeshur me një makinë që ka shtuar shpejtësinë sapo ka parë policinë. Por arratisja e mjetit tip “Toyota Yaris” nuk ka zgjatur shumë, pasi policët i kanë bllokuar pak metra më tutje gjatë rrugës “San Giuliano”.
Sipas mediave italiane, dy personat që ndodheshin brenda në makinë, u zbritën nga policia dhe u identifikuan si A. K., 21 vjeç i padënuar më parë dhe F. K., 32 vjeç me precedent penalë. Ka qenë pikërisht sjellja e tyre që ka bërë që policët të kenë dyshime dhe të kontrollojnë imtësisht makinën, duke zbuluar të fshehur nën sedile dy vende të fshehta ku ishin 600 gramë marijuanë si dhe një dozë kokainë.
Ndërkohë, policia italiane ka deklaruar se droga u sekuestrua, ndërsa dy shqiptarët që ishin me dokumente të rregullta janë dërguar në qeli në pritje të vlerësimit të arrestit. Sipas policisë, droga ishte e destinuar për shpërndarësit lokalë, hallkat e fundit të zinxhirit që më pas do e shpërndanin tek klientët.