Godina e korruptuar e vetingut, sërish “Atelier 4”

Nga Natan Haasnoot

Ndonëse ekspertët ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) kanë mbërritur në Tiranë dhe procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të fillojë në çdo moment, ndërtesa ku do të punojnë institucionet e vetingut- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), Kolegji i Apelimit (KA), dy Komisionerët Publikë dhe personeli i tyre -është ende larg të qenit gati.
Ish-selia e Lidhjes komuniste të Shkrimtarëve- një monument kulture që deri para pak vitesh i shërbente Ministrisë së Kulturës -po shndërrohet në ndërtesën e vetingut.
Më 23 qershor 2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin 478, duke vënë në dispozicion rreth 770 mijë euro për rinovimin e godinës, para që do të paguhen nga fondi i rezervuar për zërin “Arte dhe Kulturë” të buxhetit të Ministrisë së Kulturës.
Ju lutem, mos lexoni një çast dhe shijoni ironinë e hidhur të faktit që fondet e paracaktuara për kulturën shkojnë për godinën ku do të strehohet personeli i reformës në drejtësi. Ndoshta, ky fakt mund të na bëjë ta shikojmë vetingun si një “kryevepër arti” të kryezhgarravitësit tonë.
Por një fakt tjetër është akoma më problematik: vendimi i Këshillit të Ministrave për ndërtesën e vetingut është marrë në të njëjtën ditë kur kanë filluar punimet për rinovimin e ndërtesës.
Asnjë planifikim, asnjë konsultim publik, asnjë prokurim publik!
Në vend të zbatimit të ligjit, paratë qeveritare të planifikuara për projekte kulturore u dhanë me “procedurë emergjente”, e njohur si “negocim, pa njoftim”- metoda më e përdorur nga qeveria. Thënë ndryshe, para të menjëhershme dhe të lehta për këdo që i ra fati të ishte në këtë kontratë qeveritare.
E cila kompani mund të ishte përfituesja fatlume e këtij projekti 6-mujor për rinovimin e ndërtesës?
“KAEXh” shpk është kompania që do të kryejë punimet. Hera e fundit që kjo kompani fitoi një kontratë publike ishte në vitin 2013, për punime në ujësjellësin e Rrëshenit. Me fjalë të tjera, është kompani plotësisht e aftë për të ndërmarrë punime rinovuese të një monumenti kulture. (Me gjasa kompania nuk ka as licencën e veçantë të nevojshme për t’u lejuar të kryejë punime të tilla).
Mbikëqyrësi i punimeve është, natyrisht, “Atelier 4”, kompania e përkëdhelur e Kryeministrit Edi Rama. “Exit.al” ka raportuar shumë herë si kjo firmë arkitekture është e përfshirë në pothuajse të gjitha projektet e qeverisë Rama, në fushën e ndërtimeve apo rindërtimeve, që nga projekti i stadiumit kombëtar tek kulla pas Hotel Tiranës, Teatri i Operas dhe Baletit, Parku i Liqenit, bypasi shkatërrues i Gjirokastrës, Pazari i Ri e kështu me radhë.
Në shumë nga këto raste, procedurat e tenderimit kanë qenë të dyshimta, për të thënë më të paktën, ndërsa projektet që përfshinin “Atelier 4” janë karakterizuar nga shkelje të kushteve kontraktuale, shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe mungesë transparence.
E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për të mbikëqyrur punimet e ndërtesës së vetingut se sa “Atelier 4”?
E cila kompani mund të ishte më e përshtatshme për të garantuar që ky pallat i ri i drejtësisë, ky gur themeli i rendit të ri gjyqësor shqiptar, do të ketë frymën dhe staturën e duhur?
E cila kompani tjetër do të ishte më e përshtatshme për t’i treguar mbarë botës se shkaku i korrupsionit në Shqipëri është sistemi i drejtësisë se sa kompania simbol e qarkut të klientëve dhe oligarkëve që mban rreth vetes Kryeministri Rama?