Bekim Balaj kthehet në fushë

Merr fund odiseja e gjatë e problemeve fizike për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Bekim Balaj. Bomberi shqiptar u rikthye në fushën e blertë pas një mungese të gjatë. Ai u aktivizua rreth 10 minuta në sfidën Akhmat Grozny-Rubin Kazan ku skuadra nga Çeçenia triumfoi me rezultatin 1-0. 26-vjeçari i lindur në Shkodër qëndronte jashtë fushave të lojës që prej muajit gusht duke humbur edhe dy ndeshjet e kombëtares shqiptare kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë.
Pas rikuperimit të plotë, Balaj u rikthye të luajë në kampionatin rus duke zëvendësuar në minutën e 80 një tjetër shqiptar, sulmuesin Bernard Berisha. Vetëm pak minuta pas hyrjes së tij në fushë, Akhmat shënoi edhe golin e fitores duke u ngjitur në vendin e pestë të klasifikimit. Ndërkohë, sulmuesi tjetër shqiptar i skuadrës çeçene, Odise Roshi e ndoqi këtë 90 minutësh nga stoli. Rikthimi i Bekim Balajt është një lajm pozitiv edhe për trajnerin e kombëtares, Christian Panucci, i cili do të ketë më shumë mundësi zgjedhjeje në repartin e sulmit për dy sfidat e fundit eliminatore kundër Italisë dhe Spanjës.