Tabaku: Ekonomia në vështirësi nga detyrimet e prapambetura të OSHEE

Miratimi i ndryshimeve në buxhetin e këtij viti, të cilat janë bërë nga qeveria me një Akt Normativ, nuk kanë kaluar pa debate në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të këtyre ndryshimeve u shpreh se rialokimi i fondeve do të bëjë që të mirëmenaxhohet buxheti dhe të përfundojnë ato projekte që kanë ecur më mirë. Por deputetja e PD, njëkohësisht nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, duke shprehur mendimet kundër të opozitës dha dhe argumentet e saj. Tabaku u shpreh e shqetësuar për detyrimet e prapambetura të OSHEE-së, të cilat e vënë situatën ekonomike në vështirësi të mëdha. Ndërsa deputeti Dashamir Shehi theksoi faktin se ndryshimet në buxhet vijnë si mungesë e politikave në sektorin e energjisë.Akti Normativ që miratoi qeveria në muajin gusht paraqet kryesisht ndryshime në buxhetin e shtetit të këtij viti, por nuk prishin treguesit kryesorë si borxhi apo deficiti. Megjithëse në kohën kur u miratua ky akt ishte në detyrë ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj, ky vendim nuk mban firmën e saj.