Raporti i auditimit: Qeveria s’ka asnjë studim për koncesionet

 

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur ‘krenaria ime’ valën e koncesioneve që ka dhënë qeveria e tij, por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulon se qeveria shqiptare nuk ka asnjë studim strategjik mbi koncesionet. E thënë me fjalë të thjeshta: Qeveria shqiptare se ka heberin pse po i jep koncesionet. Ose le ta ndajmë pak konceptin, qeveria nuk ka asnjë të dhënë që tregon pse koncesionet do të sjellin progres për interesin dhe sektorët publik, por në planin privat dhe personal, leverdia e koncesioneve është e qartë, edhe për përfituesit, por dhe për qeverinë. Lexoni me vëmendje çfarë konstaton raporti i KLSH-së: “Nga auditimi në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), për zbatimin e ligjshmërisë në evidentimin e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, konstatohet se, deri më tani nga Këshilli i Ministrave nuk është hartuar e miratuar një dokument strategjik politikash për përcaktimin e sektorëve parësor për investime, të bazuara te partneriteti publik privat, të formave të preferuara të partneritetit publik privat dhe çështje të tjera që lidhen me kuadrin e përgjithshëm të politikave për koncesionet. Gjithashtu, konstatohet se edhe ministria përgjegjëse për ekonominë (MZHETTS), si institucioni përgjegjës, nuk ka një studim të mirëfilltë të tregut dhe propozime prej saj, edhe pse duhet të orientojë dhe harmonizojë veprimtaritë për zhvillimin e koncesioneve/ppp”. Qeveria shqiptare me eksperiencën e deritanishme në këtë fushë (tepër të debatuar) duhet të kishte tashmë një strategji të detajuar politikash në fushën e koncesioneve/ppp. Ndonëse koncesionet e dhëna nga qeveria 4 vitet e fundit kapin vlerën e disa qindra milionë eurove, operacionet kryhen pa asnjë qartësi. Nuk dihet ku dhe pse po shkojmë drejt koncesionimit. Duket si një lojë e thjeshtë, elementare, ku qeveritarët piketojnë një sektor fitimprurës, ja kalojnë pronën/shërbimin një privati dhe këtu mbyllet historia. Qeveria nuk ka më nevojë të hartojë ndonjë strategji ku shpjegon interesin publik, qoftë sa për sy e faqe.