Kurdët e Irakut në referendum për pavarësi

Kurdët e Irakut po votojnë të hënën në një referendum për pavarësi që pritet të mbështetet gjerësisht, ndërsa po kundërshtohet nga qeveria në Bagdad si dhe nga vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara.
Masoud Barzani, president i rajonit gjysmë autonom kurd në Verilindje të Irakut, u bëri thirrje pesë milionë votuesve të regjistruar të hedhin votën e tyre në paqe.
“Ne kemi ardhur në përfundimin se pavarësia do të na mundësojë të mos na përsëriten tragjeditë e së kaluarës”, tha ai në një takim me gazetarë në Irbil. “Partneriteti me Bagdadin ka dështuar dhe nuk do t’i kthehemi atij”.
Rezultatet zyrtare priten të martën. Vota “po”, nuk do të çojë në shpalljen e pavarësisë, por më shumë do të jetë një hap i parë në negociatat për ndarje.
Barzani i tha shërbimit në persisht të “Zërit të Amerikës” javën e kaluar se pas referendumit, qeveria kurde do të fillojë diskutimet me zyrtarët irakianë për çështjet si shënimi i kufirit, ndarjen e burimeve natyrore dhe afatin e shpalljes së pavarësisë. Barzani vlerësoi se koha kalimtare do të jetë nga një deri në dy vjet.
Kurdët dhe qeveria irakiane janë në konflikt të gjatë lidhur me të ardhurat nga nafta dhe kontrollin mbi disa nga qytetet kryesore të rajonit.
Para referendumit të së hënës, kryeministri irakian, Haider al-Abadi, urdhëroi rajonin kurd të dorëzojë vendkalimet kufitare dhe aeroportet dhe u bëri thirrje vendeve tjera që të mis importojnë naftë nga kurdët.
Irani fqinj, i cili sikurse Siria dhe Turqia ka një popullatë të madhe kurde, ndaloi po ashtu fluturimet për në rajonin kurd të Irakut.
Qeveria e Iranit dhe qeveria e Turqisë i janë kundërvënë referendumin nga droja se ai mund të nxisë ndenja të ngjashme separatiste në vendet e tyre.
Turqia përballet me kryengritësit kurd në Juglindje të saj tash e tri dekada dhe ministria e saj e jashtme cilësoi referendumin si të paligjshëm. Ajo tha se, vendet nuk duhet ta njohin veprimin kurd dhe paralajmëroi se Turqia “do të marrë çdo masë që buron nga e drejta ndërkombëtare”, nëse terroristët që kërkojnë të shfrytëzojnë rrethanat që burojnë nga referendumi, kërcënojnë sigurinë kombëtare turke.
Vendet tjera, sikurse Shtetet e Bashkuara, kundërshtojnë referendumin, duke theksuar se ai e shpërqendron betejën kundër grupit militant Shteti Islamik.