Buxheti faktik, u mblodhën 22 milionë euro më pak se plani

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Në vitin 2016, të ardhurat tatimore dhe jotatimore të Bashkisë së Tiranës arritën në 7.6 miliardë lekë, apo rreth 55 milionë euro, sipas relacionit “Për miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë Tiranë, për vitin 2016”, që do të diskutohet të enjten në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Nga shuma totale, 4.5 miliardë lekë, ose 60% janë të ardhura tatimore dhe pjesa tjetër jo tatimore. Bashkia duket se ka qenë tepër optimiste me planifikimin e të ardhurave në fillim të vitit 2016, teksa parashikonte të mblidhte 10.6 miliardë lekë, apo rreth 78 milionë euro. Pavarësisht se të ardhurat rezultojnë të jenë rritur ndjeshëm në pothuajse të gjitha zërat, në fund të vitit ka rezultuar se plani është arritur të realizohej me 71%, apo 22 milionë euro më pak sesa u parashikua në fillim të vitit. Mosrealizimin më të lartë, në krahasim me planin e fillimvitit e ka taksa e ndikimit në infrastrukturë, ku Bashkia ka arritur të mbledhë vetëm rreth gjysmën e të ardhurave të pritshme (1.2 miliardë lekë, nga 2.2 miliardë që priste). Situata ka ndryshuar në tre muajt e parë të këtij viti, ku të ardhurat nga kjo taksë përbënin gati gjysmën e totalit, sipas të dhënave që u publikuan më herët nga portali financatvendore.al. Megjithatë, Bashkia thekson në relacion, se viti 2016 rezulton si viti më i suksesshëm për arkëtimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, duke arritur vlerën më të lartë të arkëtuar në 15 vitet e fundit, megjithëse realizimi i saj është kushtëzuar nga miratimi i planit rregullues gjatë 2016. Realizimi i të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është mbi 4 herë më shumë se viti 2012, rreth 87% më shumë se viti 2013 dhe 17% më shumë se viti 2014. Zëri që ka sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë Tiranë është ai i taksës mbi ndërtesat nga subjektet e biznesit, që ka sjellë rreth 1.4 miliardë lekë, ose 88 për qind e planit. Sipas relacionit të Bashkisë, taksa mbi truallin, ka të bëjë me truallin e përdorur për banesë dhe për biznes. Të ardhurat nga kjo taksë për vitin 2016, janë realizuar në shumën 36,828,390 lekë, kundrejt planit 20,000,000 lekë, pra kemi një realizim prej 184%. Problemi kryesor që lidhet me të ardhurat nga kjo taksë, ka të bëjë me mungesën e informacionit në lidhje me pronësinë e truallit, ndaj del e nevojshme që të krijohet një regjistër elektronik, me të dhëna nga ZVRPP Tiranë, duke vlerësuar dosjet ekzistuese dhe verifikimin e tyre në terren. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore janë realizuar vetëm 20%. Sipas relacionit, ndër problemet kryesore të hasura gjatë këtij viti në lidhje me të ardhurat nga kjo taksë, është mungesa e bazës së të dhënave për regjistrat e tokës bujqësore nga Njësitë Administrative, veçanërisht ish-Komunat. Përqindje të lartë mosrealizimi kanë të ardhurat e parashikuara nga tarifa e zënies së hapësirave publike, me vetëm 40-50%, teksa Bashkia i uli këto taksa pas protestave të bizneseve në shkurt të vitit të kaluar. Megjithatë, Bashkia thekson se arkëtimet nga tarifa e zënies së hapësirës publike janë 3 herë më të larta se arkëtimet e vitit 2015 dhe thuajse 4 herë më të larta se ato të vitit 2014. Taksa e fjetjes u realizua 45%. Relacioni thekson se problemi kryesor i hasur gjatë këtij viti në lidhje me këtë është mungesa e kategorizimit sipas sistemit të yjeve, e cila solli paqartësi në mbledhjen e taksës së fjetjes në hotel si dhe fakti se sistemi deri më sot bazohet në vetëdeklarime. Me hyrjen e sistemit të ri të digjitalizuar për deklarimet dhe monitorimin e hoteleve, i cili përfundon në vitin 2017, pritet një ndryshim i ndjeshëm në të ardhurat nga taksa e hotelit. Taksat e tabelave identifikuese dhe reklamuese u volën përkatësisht 20% dhe 62% të planit. Problemet kryesore të hasura në arkëtimin e të ardhurave nga kjo taksë, thekson Bashkia, lidhen me ndryshimin territorial të Tiranës, ku një pjesë e mirë e bizneseve të komunave Kashar, Farkë përdornin tabela reklamuese me sipërfaqe të madhe dhe me rritjen e nivelit të taksës, heqjen e kufirit maksimal 18 metër katrore si dhe ndryshimit të shpërndarjes territoriale të saj, nuk i kanë përdorur më, duke shkaktuar mungesën e të ardhurave të planifikuara. Sërish, Bashkia thekson se viti 2016 shënon nivelin më të lartë të arkëtimeve nga kjo taksë për 15 vitet e fundit me një performancë rreth 40% më të lartë krahasimisht me vitet 2014 dhe 2015. Ecuria e arkëtimit të tarifës së pastrimit për të dyja kategoritë si Biznese dhe Famljare rezulton me një rritje të dukshme në vitin 2016, për gati dy herë më shumë se arkëtimet e periudhës 2012-2015 dhe disa herë më shumë se në vitet 2006 -2011, si rezultat i riorganizimit të mënyrës së mbledhjes së taksës e forcimit të strukturave menaxhuese. Nga taksa e arsimit, e cila u vendos për herë të parë në 2016-ën, Bashkia ka arritur të mbledhë 3.6 milionë euro, ose rreth 57% të asaj që planifikonte, ku mosrealizimi më i madh është nga familjarët (44%). Të gjithë ata që kanë makina, kanë paguar në 2016-ën rreth 1.3 milionë euro, apo sa 60% e asaj që parashikonte Bashkia në fillim të vitit.