Sa do të rriten çmimet për ilaçet

Koço KOKEDHIMA

Në janar të vitit 2014, Rama deklaroi se do të anulonte koncesionin e pullave të ilaçeve, sepse ishte i papranueshëm dhe do ta kthente këtë shërbim te Ministria e Financave.
Por ashtu siç bëri me shumë premtime të tjera, edhe për këtë koncesion ai u dorëzua në prehrin e oligarkëve, duke firmosur një vendim qeverie në tetor 2016, sipas të cilit rritet çmimi i pullës së kontrollit të ilaçeve, e cila është e detyrueshme për çdo paketë barnash. Kjo do të thotë që nga afërsisht 2 lekë për çdo paketë barnash që është sot (14.43 euro për 1 mijë copë pulla) çmimi për çdo pullë do të bëhet 2,4 për qind e çmimit të barit, duke rritur çmimin e pullës për çdo bar më të shtrenjtë se 83 lekë. Edi Rama dështoi në dy përpjekje që bëri për të miratuar në Kuvend këtë projekt në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017. Tani që ai e ka marrë i vetëm edhe timonin edhe tepsinë, projektligji është rifutur i pandryshuar në kalendarin e katër javëve të ardhshme të Kuvendit dhe miratimi i tij pritet që të jetë thjesht një formalitet. Nëse ndodh kjo, për barnat e shtrenjta rritja e çmimit të pullës do të jetë deri në dhjetëra herë më i lartë, kurse për barnat e rralla që kurojnë sëmundje të rënda, do të jetë marramendëse.
Shumëfishimi i çmimit të pullës së kontrollit do të çojë direkt në rritjen e vetë çmimit të barnave, pasi kostoja e pullës do t’i kalohet si gjithmonë konsumatorëve për barnat që shiten në farmaci dhe buxhetit të shtetit për barnat që furnizojnë spitalet dhe klinikat shtetërore. Nga kjo rritje, të ardhurat e koncesionarit, shtohen afërsisht 25 herë më shumë. Aktualisht të ardhurat nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit, ndërsa me formulën e re, koncesionari do të marrë rreth 5,3 milionë euro, në tregun tonë farmaceutik që është gjithsej 128 milionë euro në vit. Ky është një fitim i jashtëzakonshëm pa bërë asnjë investim të ri. Rama po ia “dhuron” koncesionarit monopolist këto para, duke rrjepur shtresat më delikate e më të varfëra të shoqërisë.