Ballina Sport Sot kulmon me Liverpool-Sevilla

Sot kulmon me Liverpool-Sevilla

Në Uefa Champions League e mërkura është dita e grupeve E, F, G dhe H. Sot debutojnë kampionët në fuqi të Realit të Madridit, edhe pse vëmendja më e madhe do të jetë në “Anfield Road”. Në Grupin E, luhet supersfida e mbrëmjes me Liverpoolin që do të presë në shtëpi Sevillan, në atë që do të jetë përsëritje e finales së Europa League të vitit 2016-të. Shorti, u tregua bujar me skuadrën e Klopp që edhe pse ishte në vazon e tretë ka shanse të mira për të zenë vendin e parë në grup.
Por për ta bërë diçka të tillë Liverpooli duhet të mposhtë patjetër Sevillan në sfidën hapëse, në një takim ku The Reds do të kërkojnë në njëfarë mënyre edhe të hakmerren ndaj andaluzianëve për atë humbje në Basel. Në ndeshjen tjetër të Grupit E, Maribori i mesfushorit të kombëtares shqiptare Valon Ahmedi pret në Slloveni kampionët e Rusisë, pikërisht Spartakun e Moskës që drejtohet nga italiani Massimo Carrera. Në Grupin F, sytë e të gjithëve do të jenë nga Manchester City dhe Napoli. Formacioni i Pep Guardiolës do të sfidojë në transfertën e De Kuip, Feynoordin, ndërsa Napoli do të udhëtojë drejt Ukrainës për t’u përballur me Shakthar Donetsk.
Grupi G konsiderohet edhe si ai më i balancuari edhe pse Monaco qëndron pak më lart se skuadrat e tjera. Kampionët e Francës e nisin aventurën e tyre në këtë edicion të Champions-it, me transfertën ndaj debutuesve të Leipzigut, ndërsa Porto pret Besiktasin në Do Dragao në sfidën tjetër. Parashikohet një mision i lehtë për ndeshja e parë në Grupin H, për kampionët në fuqi të Realit të Madridit që presin në “Santiago Bernabeu”, qipriotët e Apoel Nicosias. Më 2012-tën këto dy skuadra u përballën në çerekfinalet e Championsit me Los Blancos që avancuan më tej falë dy fitoreve të thella. Një duel tjetër shumë emocionues luhet në “Wembley” aty ku Tottenhami pret Dortmundin, në një përballje që vlen shumë për të dyja ekipet.

Exit mobile version