Trump udhëheq vendin në ceremoninë e 11 shtatorit

Donald Trump, për herë të parë si president udhëhoqi vendin në ceremonitë përkujtime me rastin e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001.
Presidenti Trump shënoi 16-vjetorin e aktit më të rëndë terrorist në tokën amerikane me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, me një minutë heshtje në orën 8:40, kohën kur avioni i parë i rëmbyer nga terroristët e Al-Kaidës u përplas në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Avioni i dytë goditi kullën e dytë 23 minuta më pas dhe rrokaqiejt e mëdhenj u shembën në flakë dhe tym pak më vonë.
Presidenti Trump mori pjesë gjithashtu në një ceremoni përkujtimore dje në Pentagon, që u godit dhe u dëmtua rëndë nga një avion tjetër komercial i rrëmbyer në atë ditë famëkeqe. Herët në mëngjes, një flamur amerikan u shpalos në anë të ndërtesës.
Nënpresidenti Mike Pence udhëtoi në Shanksville të Pensilvanisë, ku një tjetër avion i rrëmbyer u përplas në një fushë. Besohet se pasagjerët u përpoqën të rimerrnin kontrollin e avionit kur e kuptuan se rrëmbyesit e tij të armatosur me thika kërkonin ta drejtonin avionin drejt Uashingtonit për një tjetër sulm, duke synuar Kapitolin ose Shtëpinë e Bardhë dhe se rrëmbyesit e rrëzuan aeroplanin në vend që të dorëzoheshin.
Të gjithë pasagjerët në bordin e katër avionëve të rrëmbyer humbën jetën më 11 shtator 2001. Përfshi viktimat masive në Nju Jork dhe humbjet e jetëve në Pentagon, sulmet e 11 shtatorit vranë gati 3,000 njerëz.
Militanti islamik i quajtur nga hetuesit amerikanë si “arkitekti kryesor” i sulmeve të vitit 2001, “Khalid Sheikh Mohammed”, u kap në Pakistan në fillim të vitit 2003 dhe mbahet në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Sulmet ishin miratuar paraprakisht nga udhëheqësi i Al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili u qëllua për vdekje nga komandot amerikane në maj të vitit 2011, gjatë një bastisjeje në një kompleks të rrethuar me mur në Pakistan, ku ai fshihej.