Rama, për të tretën herë të njëjtin premtim

Kryeministri Edi Rama po prezanton sot programin e qeverisë në mbledhjen e kësaj të hëne në Kuvendin e Shqipërisë. Kreu i qeverisë paralajmëroi reforma në disa nga sektorët kyçë në vend nga shëndetësia e arsimi tek turizmi e drejtësia.

Anti-informaliteti

Rama theksoi se qysh në 100 ditët e para të qeverisjes do të nisë një fushatë e re kundër informalitetit, e cila do të ketë një qasje të re ndaj biznesit. Duket se kjo përbën Anti-informalitetin 3 pasi dy faza të mëparshme u konsuamuan në mandatin e parë të qeverisë.

Në fazën e parë kishim një dyndje të inspektorëve dhe institucioneve në dyert e biznesit i cili ngriti shqetësimin për mënyrën sesi po trajtohen.

Në fazën e dytë të deklaruar, qeveria pati një zbutje të toneve duke kërkuar që tatime, doganat dhe biznesi të shihen si partner dhe jo si armiq.

Tashmë në fazën e tretë pranë derës kreu i qeverisë deklaroi se do të kemi sërish një tjetër qasje të palëve për të zgjidhur situatën me bizneset joformale.

Ai deklaroi se biznesi do të ketë tani edhe një Ombudsman (avokat) brenda qeverisë që do të jetë ministri për marrëdhëniet e Shtetit me Sipërmarrjen.