Makina e mbushur me drogë nga Shqipëria kapet në Greqi

Një sasi prej 89 kg kanabisi është sekuestruar nga autoritetet greke, ndërsa një 52-vjeçar shqiptar është arrestuar. Gjatë kontrollit në makinën me të cilin shqiptari lëvizte, (identiteti i të cili nuk bëhet i ditur) u gjetën 42 paketime kanabisi me peshë totale 88 kg. Autoritetet greke bënë të ditur se, lënda narkotike ishte futur me makinë nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Athinën. Droga dhe makina, që ishte në pronësinë e një greku u sekuestruan. Ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e zinxhirit të trafikut.
Ndërkohë, tre shqiptarë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burgim nga një gjykatë belge për trafik të kokainës. Gjykata e Tournai i ka dënuar me 4 vite burg në total shqiptarët, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Mediat belge shkruajnë se, dy prej shqiptarëve janë dënuar me 30 muaj burgim në total, ndërsa i treti me 18 muaj burg.
Sipas prokurorit të çështjes, tre shqiptarët kishin shkuar në qytetin e Tournai vetëm për të shitur drogë. Gjykata urdhëroi gjithashtu që të sekuestrohet edhe një shumë parash prej 16 mijë euro, të cilat janë përfituar prej shqiptarëve nga aktiviteti i tyre kriminal.
Në kohën që u arrestuan, atyre iu sekuestrua 80 gramë kokainë në apartamentin ku ata qëndronin. Nga këqyrja e celularëve të tyre u zbulua se kontaktet e shqiptarëve i përkisnin pikërisht rrjetit të trafikut të drogës.