Interi fiton edhe ndeshjen e tretë

Interi ëndërron me dyshen Icardi-Perisiç. Edhe ndaj Spalit vendosën sërish ata me Interin e Spallettit që vazhdon rrugën e fitoreve. Suksesi i 3-të radhazi në po kaq ndeshje të këtij kampionati dhe i 8-ti rresht me Spallettin në stol nëse përfshihen edhe miqësoret e verës. Në “San Siro”, Icardi dhe Perisiç me golat e tyre ndëshkuan Spalin, edhe pse skuadra e Semplicit luajti me kurajo dhe u përpoq të vinte në vështirësi zikaltërit, që me këtë fitore barazuan Juventusin në kuotën e 9 pikëve në krye të klasifikimit. Ndeshja nisi e qetë edhe pse Gagliardini me disa tentativa nga distanca rrezikoi portën e miqve nga Ferrara.
Në minutën e 22-të ndodhi edhe episodi kyç i kësaj sfide. Vicari pengoi në limitet e zonës Joan Marion, me gjyqtarin Gavilucci që akordoi fillimisht goditje standarde mbi vijën e zonës, por pas protestave të lojtarëve zikaltër arbriti kryesor me ndihmën të VAR-it dhe pas një ndalese prej plot 5 minutash akordoi 11-metërsh për Interin sepse pamjet e përsëritura tregonin qartë që portugezi u pengua brenda zone. Nga pika e bardhë e penalltisë në të 27-tën Icardi nuk gaboi për t’i dhënë epërsinë Interit. Goli i 5-të për argjentinasin në këtë sezon me Mauriton që kryeson listën e golashënuesve së bashku me bashkëkombasin e tij Dybala.
Për të parë golin e dytë të zikaltërve tifozët e Interit duhet të prisnin shumë. Në të 74-tën Skriniar me një predhë nga distanca u ndal përpara se të vinte supergoli i Perisiç fluturimthi, i dyti në këtë sezon për kroatin që erdhi pak pas rinovimit të kontratës deri më 2022 me Interin. I shërbyer nga D’Ambrosio në të 87-tën, Perisiç shënoi një gol fantastik duke ngritur peshë të gjithë tifozët zikaltër që ishin të pranishëm në stadium dhe duke vulosur fitoren e tretë sezonale të Interit të Spallettit.
Arriti fitoren e parë në këtë sezon Atalanta që në “Atleti Azurri D’Italia” mposhti 2-1 me përmbysje Sassuolon. Titullar edhe një herë tjetër Etrit Berisha, me portierin e kombëtares kuqezi që zhvilloi një ndeshje pozitive. Nuk mund të bënte asgjë Berisha në minutën e 28-të kur Sensi finalizoi me sukses një kundërsulm vrastar të skuadrës nga Reggio Emilia. Por nuk vonoi shumë dhe Atalanta barazoi shifrat me danezin Cornelius. Golin e fitores për bergamaskët përballë Sassuolos që rezistoi fort e realizoi Petagna, 13 minuta përpara fundit. Që Atalanta të merrte tre pikët e para në kampionat duhet të falënderojë edhe Etrit Berishën që në minutat 88 dhe 93 bëri dy pritje vendimtare për të mbajtur të pandryshuar rezultatin.
Ashtu si Atalanta edhe Fiorentina e Stefano Piolit mori fitoren e parë në këtë sezon të Serisë A. Pas dy humbjeve në 2 javët e para vjollcët shpërthyen në transfertën e “Bentegodit” ndaj Veronës duke fituar me shifrat e thella 0-5. Giovanni Simeone hapi serinë golave, ndërsa francezi Cyril Thereau, blerja tjetër e sulmit në këtë merkato kthehu në gol një 11-metërsh për t’i çuar shifrat në 0-2. Astori, Veretout dhe Dias me golat e tyre fiksuan shifrat përfundimtare të këtij takimi në 0-5.