SHBA bojkoton zgjedhjen e Ruçit

Për të parën herë në këto 27 vite Parlamenti i Shqipërisë do të ketë në krye të tij një person të konsideruan “të padëshirueshëm” nga Shtetet e Bashkuara që nga viti 2005. Shqipëria i është rikthyer periudhës më të errët të historisë së saj, kohë kur drejtuesit e shtetit shqiptar viheshin në pozitat e larta duke shprehur armiqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara.
A është Gramoz Ruçi një person non grata për Shtetet e Bashkuara? Dokumentet amerikane sipas Wikileaks janë të qartë në këtë drejtim. Ato janë zbardhur pak kohë më parë dhe asnjëherë nuk janë përgënjeshtruar as nga Ruçi dhe as nga burime të ambasadës amerikane.
Sipas disa dokumenteve të ambasadës amerikane të vitit 2009, publikuar nga Wikileaks:
“Ruçi ka lidhje të hershme me narkotrafikantë dhe bandat e krimit të organizuar. Ruçit gjithashtu i është ndaluar hyrja, në mënyrë të përhershme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005”.
Me fjalë të tjera, Gramoz Ruçi mund të mos jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij si përfaqësues i Shqipërisë, pasi atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
Gjatë katërvjeçarit të shkuar, Ruçi ishte kryetari i Grupit parlamentar të PS-së dhe sikurse ka treguar gjatë kësaj kohe, ai ka shumë pak respekt për Kushtetutën.
Ky është edhe pozicioni më i rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë Gramoz Ruçi. 26 vjet më parë, zoti Ruçi ka qenë sekretar i Parë i Partisë së Punës në Tepelenë dhe ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Ramiz Alisë. Zoti Ruçi ka qenë dëshmitar i shkatërrimit të plotë të arkivës së Sigurimit të Shtetit. Ai asnjëherë nuk ka kërkuar falje për përfshirjen e tij në regjimin komunist.

Enton DACI