Salihi i jep tjetër fitore Neustadtit

Hamdi Salihi udhëhoqi Wiener Neustadt drejt fitores së shtatë në Ligën e Parë të Austrisë, duke ruajtur diferencën prej katër pikësh me Hartbergun e vendit të dytë. Sulmuesi shkodran realizoi të dy golat e sfidës ndaj Liefering, që nuk mundi të bënte asgjë veçse të dorëzohej përfundimisht me rezultatin 2-0.
Në minutën e 10-të ish-futbollisti i kombëtares shqiptare përfitoi nga një gabim i mbrojtjes duke goditur saktë thuajse nga vija e 16 metrave, me topin që përfundoi në trekëndësh. Po në pjesën e parë, pikërisht në minutën e 23-të, Salihi i pengua në mënyrë të parregullt në zonë, duke fituar një 11-metërsh që e shndërroi vetë në gol.
Ky rezultat i arritur në gjysmën e pjesës së parë mbeti në fuqi deri në fund të takimit. Për Salihin ky ishte goli i tetë në nëntë ndeshje të Ligës së parë të Austrisë, si dhe rasti i tretë që 33-vjeçari realizon 2-golësh.