Ballina Aktualitet Mbytet një tjetër pushues, shkon 30 numri i viktimave

Mbytet një tjetër pushues, shkon 30 numri i viktimave

Një turist nga Kosova u mbyt dje në det në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” në zonën e Shëngjinit në Lezhë. Dy turistë nga Kosova kanë hyrë për t’u larë në ujë dhe si pasojë e detit të trazuar njëri prej tyre nuk ka arritur të dalë më në breg. Policia bëri të ditur se, viktima ndodhej në plazh së bashku me disa shokë të tij dhe ishte futur për t’u larë në det, por nuk ka mundur të kthehet më në breg të detit nga dallgët e mëdha, duke humbur edhe jetën. “Menjëherë kanë shkuar shërbimet policore të Patrullës së Përgjithshme dhe të Policisë Kufitare ku në bashkëpunim me Rojën Bregdetare, u bë i mundur konstatimi dhe nxjerrja nga uji i trupit të pajetë të shtetasit të identifikuar si E.A., 27 vjeç, banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Ky është pushuesi i dytë që mbytet brenda tre ditësh në plazhet tona, duke e çuar në 30 numrin e pushuesve të mbytur gjatë këtij sezoni turistik. Tre ditë më parë humbi jetën në det një pushues në plazhin e Golemit. Policia bëri me dije se i mbyturi me iniciale F.A., 69 vjeç ka gjetur vdekjen pasi është futur në det, ndërsa edhe pse atij i është dhënë ndihma e parë, nuk është bërë i mundur shpëtimi i tij.
Ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar turizmin e sivjetshëm një “Turizëm me bilanc lufte”. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se gjatë këtij sezoni turistik u mbytën 30 pushues. Mbytja e pushuesit ditën e djeshme e çon në 30 numrin e pushuesve të mbytur në plazhet tona gjatë këtij sezoni turistik. Kjo është një shifër tepër e lartë, po ta krahasosh me vendet e Europës. Para pak ditësh u mbyt një turiste çeke në plazhin e Radhimës në Vlorë.
Mbytja e 30 pushuesve në një sezon turistik është një shifër tepër e lartë, po ta krahasosh me vendet e Europës. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, sezoni turistik i mbytjes së 30 turistëve apo 5 herë më shumë se në të gjitha brigjet e Europës. Berisha akuzon qeverinë për shpërdorim taksash dhe mosmbrojtjen e pushuesve në brigjet shqiptare nga rreziku i ujit.
Çdo turist apo pushues vendas derdh me shpenzimet e tij si taksa, qindra e mijëra lekë në buxhetin e shtetit gjatë qëndrimit të tij me pushime. Kurse kjo qeveri as dhe autoritetet lokale nuk kanë shpenzuar qoftë dhe një qindarkë për mbrojtjen dhe sigurimin e tyre nga rreziku i ujit. Përveç kësaj, qeveria, me industrinë e mafies, skafet që ka favorizuar, ka rritur shumë rrezikun për jetën e turistëve në ujërat e plazheve tona.
Një nga shkaqet që turistët e huaj kanë braktisur plazhet tona ka qenë pasiguria në plazhe dhe rritja e numrit të grabitjeve të turistëve. Një turiste gjermane ka rënë pre e hajdutëve në Syrin e Kaltër në Sarandë, ku kishte zgjedhur të shijonte këtë bukuri të rrallë të natyrës shqiptare. Po ashtu, mjaft tursitë të huaj janë larguar për shkak të ndotjes së detit me fekale dhe nga derdhja e karburanteve në det.

R.POLISI

Exit mobile version