Freiburg ndal në barazim Dortmundin

Ndalesa e parë për Borusian e Dortmundit në Bundesligë erdhi përballë Freiburg, pas një ndeshje që nëse do të shihje thjesht statistikat pa i kushtuar rëndësi rezultatit do të krijohej përshtypja e një fitoreje të thellë për verdhezinjtë, por ekipit nga Vestfalia nuk i mjaftoi as 80 për qind e kontrollit të topit dhe as 25 goditje drejt portës për të fituar në “Schwarzwald Stadion”. Në një ndeshje të dominuar ekipi i Bosz nuk arriti të shfrytëzojë madje as superioritetin numerik pas daljes me të kuq të Ravet, që në minutën e 27-të për një faull brutal në mesfushë.
Pas dy fitoreve radhazi në dy javët e para të kampionatit, ky ishte frenimi i parë për verdhezinjtë, që gjithsesi të paktën mund të ngushëllohen me faktin se ende nuk kanë pësuar gol në Bundesligë dhe pse në këtë përballje më rëndësi do të kishte patur fitorja, që sjell pikët sesa mospësimi i golit.