A është ky fundi i Tahirit?

Për Tahirin nuk ka më vend në radhën e parë të deputetëve të PS. I lënë jashtë qeverisë, Tahiri është rehatuar në një karrige në fund të sallës së Parlamentit. A është ky fundi i Tahirit? Pyetja pritet që të marrë përgjigje gjatë ditëve të ardhshme. Ajo që dihet është se Tahiri nuk është më një zgjedhje e Ramës, jo për shkak të Ramës, por për shkak të rrethanave të jashtme që i kanë imponuar Ramës që Tahiri të qëndrojë sa më larg vendimmarrjes politike të qeverisë së PS.
Ka pasur një rregulll të pashkruar se për pozicione kyçe në qeverisje, partnerët e qeverisë konsultohen gjithnjë me dy nga partnerët kryesorë që ka sot Shqipëria. Kjo për shkak të vetë pozicionit që kanë poste të tillë.
Tahiri nuk është më një person i dëshiruar nga partnerët kryesorë të Shqipërisë. Mbushja e vendit me drogë dhe reagimi i ndërkombëtarëve, ndonëse i vonuar, ka bërë që të identifikojnë si problem kryesor lidhjet me krimin të Tahirit.
Burime diplomatike thonë se fundi i Tahirit nuk dihet ende. Nëse është në fundin e sallës të Parlamentit kjo është ajo që duket dhe është parë dje, por përtej asaj që duket është edhe ana e padukshme. Mbetet për t’u parë gjatë javëve të ardhshme se cili do të jetë fundi i vërtetë i Tahirit.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, vëmendja ka kaluar tek deputetët e rinj, por nuk kanë kaluar pa rënë në sy dhe deputetët e “vjetër” në PS.
Një prej tyre është dhe ish-ministri Saimir Tahiri, që në kabinetin e ri ministror nuk i është caktuar asnjë detyrë.
Megjithëse është vlerësuar jo pak herë si ministri më punëtor nga ana e Kryeministrit Rama, Tahiri është tashmë i “zhveshur” nga çdo detyrë, përveç asaj të deputetit. Në seancën e parë, ai ra në sy sepse ishte ulur i vetëm në rreshtin e fundit të sallës së Parlamentit.