Emini: I lumtur për rikthimin te Shkëndija

Në fund fitoi ai. Largimi i tij nga Kukësi, me kampionët e Shqipërisë që pretendonin se ishte ende nën kontratë me ta, u kthye në një nga telenovelat e kësaj vere, por betejën ligjore në FIFA e fitoi pikërisht Izair Emini dhe jo Kukësi. Tashmë sulmuesi tetovar është gati për të mbajtur sërish veshur fanellën e skuadrës së vendilindjes së tij Shkëndijës, diçka që 31-vjeçari e dëshironte me çdo kusht, me Eminin që pret me padurim debutimin, i cili mund të vijë këtë fundjavë në ndeshjen ndaj Pobedas.
Në një sezon e gjysmë me Kukësin, Emini fitoi gjithçka që mund të fitohet në Shqipëri, ndërsa shënoi 20 gola në të gjithë kompeticionet me skuadrën verilindore. Por objektivi i radhës për sulmuesin është të fitojë një tjetër titull kampion me Shkëndijën. Së bashku me Hasanin, Cuculin dhe trajnerin Qatip Osmani, Emini ishte një nga protagonistët e titullit të vetëm kampion të fituar nga Shkëndija në Maqedoni në sezonin 2010-2011. 31-vjeçari beson se ky është viti i duhur që kuqezinjtë të fitojnë sërish kampionatin. Ndaj Pobedës këtë të dielë, Emini shpreson të debutojë dhe pse të shënojë, për të kënaqur publikun tetovar.