Ballina Sport Te Groseto presin me ankth “yllin europian” Vilfor Hysa

Te Groseto presin me ankth “yllin europian” Vilfor Hysa

Vilfor Hysa i ka dhënë lamtumirën Shqipërisë. Pas një karriere të gjatë me skuadra të ndryshme në Superiore apo të parën si Tirana, Teuta, Laçi, Flamurtari, Vllaznia, Kastrioti e Kukësi, sulmuesi shtatshkurtër që luante prej më shumë se 10 vitesh në futbollin tonë, ka vendosur që të provojë fatin e tij në Itali.
27-vjeçari nuk do e fillojë karrierën atje nga elita, siç ka ndodhur me emra të tjerë që janë transferuar përtej Adriatikut. Përkundrazi, zgjedhja e tij është paksa e çuditshme pasi ka vendosur të zbresë te Groseto, në Eccelenca, që është kategoria e 5 italiane. Fillimisht ai mendohej se do të shkonte te L’Akuila, por së fundmi zgjodhi Groseton.
Në mediat italiane, e shohin futbollistin si një element që do të bëjë menjëherë diferencën, edhe për faktin se vjen pas eksperiencave të shumta në kombëtaret e moshave të Shqipërisë, si dhe nga pjesëmarrja në Ligën e Europës në klubet ku ka luajtur. Problemi i vetëm është dokumentacioni i tij. Sipas klubit, do të duhet rreth një muaj e gjysmë për ta parë në fushën e lojës, për shkak të vonesave të procedurave.
Por te Groseto janë të gatshëm të presin. “Kemi bërë një investim të rëndësishëm, tani presim një përgjigje të fortë nga të gjithë”, tha presidenti i skuadrës, Simone Ceri. Ndërsa Hysa ka bërë të qartë se do të synojë me këtë klub të bëjë gjëra të rëndësishme. “Ky duket si një qytet i denjë për Serinë B apo A”, tha sulmuesi shqiptar.

Exit mobile version