Monaco, largimi i Mbappe sjell 4 lojtarë të rinj

Largimi i Kylian Mbappe te PSG dhe arkëtimi i jashtëzakonshëm që klubi i Monacos do të përfitojë nga transferimi i tij, ka bërë që drejtuesit e klubit monegask të lëvizin menjëherë fuqimisht në merkato duke afruar plot katër lojtarë të rinj, Stevan Jovetiç, Rachid Ghezzal, Adama Diakhaby dhe Keita Balde, të cilën u prezantuan zyrtarisht me skuadrën e tyre të re.
Senegalezi Keita Balde firmosi një kontratë pesë vjeçare me Monacon duke ardhur nga Lazio, ndërsa Jovetiç u largua nga Interi duke firmosur për katër vjet me monegaskët. Ghezzal u ble nga rivalët e Lyon pas një marrëveshjeje të mbyllur deri në vitin 2021, ndërsa Diakhaby u transferua nga klubi i Rennes. Zv.presidenti i klubit, Vadim Vasilyev gjatë konferencës për shtyp deklaroi se mund të nevojitet pak kohë që futbollistët të përshtaten nën urdhrat e trajnerit Leonardo Jardim, ndërsa Jovetiç theksoi se zgjodhi Monaco-n për të luajtur në Uefa Champions League.
Ndërkohë Arsenali ka arritur marrëveshjen me Monaco-n për marrjen e Thomas Lemar. “Topçinjtë” bënë të pamundurën gjatë verës për të blerë 21-vjeçarin, i cili në fund vendosi të qëndrojë në Principatë. Megjithatë “Daily Star” raporton se skuadrat kanë gjetur akordin për transferimin në Londër të Lamar, në janar të vitit 2018, ku mesfushori do të firmosë për 5 vjet.