Rusi-Bjellorusi, 100 mijë trupa në stërvitje

Ministrat gjermanë dhe francezë të Mbrojtjes kanë kritikuar manovrën e fundit ushtarake të Rusisë me Bjellorusinë, ku kanë thënë se Moska dëshiron të tregojë fuqinë ushtarake në kufijtë e BE-së dhe NATO-s.
“Është shumë me rëndësi që në këtë kontekst ne të riafirmojmë prezencën tonë, në këtë strategji që Rusia po e përdor për të na frikësuar”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes franceze, Florence Parly.
Nën rregullat e OSBE-së, që ndryshe njihen si dokumenti i Vjenës, shtetet që kryejnë manova ushtarake me më shumë se 13.000 ushtarë, duhet të njoftojnë paraprakisht vendet e tjera, e po ashtu të jenë të hapura për mbikëqyrësit.
Rusia dhe Bjellorusia kanë thënë se këto manovra ushtarake, të ashtuquajtura Zapad apo “Ushtrimet e Perëndimit”, përfshijnë rreth 12.700 ushtarë dhe do të mbahen në Bjellorusi dhe në disa pjesë perëndimore të Rusisë.
Në anën tjetër, zyrtarë të Perëndimit dhe ekspertë thonë se numri i vërtetë i pjesëmarrjes së ushtarëve mund të arrijë në 100 mijë trupa.
NATO ka thënë se do të dërgojë tre vëzhgues në Bjellorusi dhe Rusi për të monitoruar manovrat ushtarake dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje të dyja vendeve të lejojnë monitorimin e kufijve në prova.
Rusia mban provat në Zapad, çdo katër vite, në tri pjesë të ndryshme të vendit.