Në fushë, lojtarët më cilësorë

Trajneri i kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi foli në konferencë për shtyp në ambientet e FSHF, ku analizoi me detaje dy ndeshjet me Liechtenstein e Maqedoninë, si dhe komentoi shumë çështje të tjera. Ja çfarë tha tekniku italian.
– Dy ndeshjet e para me Shqipërinë, çfarë përshtypje ju ka dhënë kombëtarja?
“Tani i njoh më tepër futbollistët e mi. Duke vlerësuar momentin delikat të sezonit, sepse është vetëm fillimi dhe shumë lojtarë po luajnë me vështirësi në klubet e tyre. I trembesha shumë këtyre dy ndeshjeve, pikërisht prej gjendjes fizike të skuadrës. Siç e pamë, Franca me Luksemburgun barazoi. Mundëm Lihtenshtejnin dhe u duk gjithçka e thjeshtë, por absolutisht nuk ishte e lehtë. Në fund jam i kënaqur nga këto dy ndeshje, sepse Lihtenshtejni nuk goditi asnjëherë në portë, edhe pse kemi luajtur shumë ngadalë në 30 minutat e para, por duke patur një ide për atë që duhet të bënim në fushë. Ndërsa në pjesën e dytë skuadra e qarkulloi topin më shpejt, gjetëm avantazhin. Kemi lojtarë si Memushaj, Ajeti apo Roshi që kanë vështirësi në skuadrat e tyre dhe kishin pak minuta në këmbë.
Memushajn mu desh ta zëvendësoj, Ajeti dhe Llullaku kishin probleme nga ngarkesat. Edhe pse zhvilluam vetëm një stërvitje, arritëm të vinim në praktikë atë që kërkonim. Nuk më pëlqen të gjej justifikime nëse fiton apo humbet, por pas dy ndeshjeve duhet bërë një analizë, në respekt të të gjithëve. Këtë nuk do ta bëja në një klub, por kombëtarja është diçka tjetër.
Ndaj Maqedonisë zgjodha Lilën dhe Kukelin, edhe sepse i trembesha dëshirës së kundërshtarëve për të fituar, duke sakrifikuar disi në aspektin e lojës. Por, në të njëjtën kohë rreshtova katër lojtarë në sulm, Hyka, Roshi, Sadiku dhe Llullaku. I trembesha faktit se nëse humbisnim topin dhe do të kishim katër lojtarë në sulm, Maqedonia mund të na godiste në kundërsulm. Edhe pse në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, nuk vuajtëm. Patëm rastin e Hysajt, katër kundër një. Në pjesën e dytë zgjodha të hedh më tepër kualitet në fushë, edhe prej karakteristikave të lojtarëve në fushë. Menjëherë erdhi reagimi psikologjik i ekipit dhe gjetëm golin. Kjo erdhi prej njohjes që kam për skuadrën. Tani që e njoh më tepër ekipin, jam i sigurt se sa më shumë kualitet të hedh në fushë, aq më mirë luan ekipi”.
– Plan për të përmirësuar lojën në sulm?
“Pas ndeshjes shikoja dhe mendoja sepse jam i fiksuar pas punës që bëj. Në disa momente të jetës do të doja të isha ndryshe. Por, kam aq shumë respekt për veten, për presidentin, për Shqipërinë, për lojtarët, për tifozët, saqë mendoj 24 orë në ditë për punën. Të gjithë i shohim ndeshjet eliminatore dhe ka dy skuadra që janë mbi të tjerat, që luajnë dhe janë më të organizuara: Gjermania dhe Spanja. Të tjerat janë ekipe që mundohen të hedhin sa më shumë kualitet në fushë, sepse nuk kemi shumë kohë për të punuar me skuadrën.
Unë dua të luaj futboll dhe jo të hedhim topin nga mbrojtja në sulm. Mendoj që është më mirë të luajmë me tre në mesfushë dhe jo me dy. Kjo është pjesë e njohjes time me skuadrën. Në të ardhmen do të provoj ta rreshtoj ekipin me sa më tepër kualitet në fushë dhe të kërkojmë sa më shumë mesfushorë dhe sulmues. Kam një listë me lojtarë, të cilët do të udhëtoj t’i ndjek dhe t’i takoj. Nuk kisha luksin e kohës në dispozicion dhe provova të hidhja më të mirët që kisha. Pak a shumë kjo do të ndodhë nga tani”.
– Cila mendoni se është forca e kombëtares?
“Kemi një grup të shkëlqyer, me lojtarë që e ndjejnë peshën e përgjegjësisë dhe kombësisë. Punojnë me seriozitet, sepse ky është profesioni i tyre. Në punë duhet të jesh serioz. Jemi të vetëdijshëm se kur Shqipëria fiton të gjithë janë të lumtur, ndërsa kur humbasim njerëzit nuk buzëqeshin”.
Në lidhje me dy sfidat e radhës, Panuçi theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin: “Do të shkojmë në Spanjë për të parë sa të mirë janë dhe për ta bërë kundërshtarin pak më të dobët. Nëse japim maksimumin, nuk kemi çfarë t’u themi lojtarëve. Nëse janë më të mirë, do i japim dorën dhe do të kthehemi në Tiranë, por përpara se t’ia japim dorën, do të përpiqemi. Edhe kundër Italisë do të mundohemi të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat”.