Miliona euro dëme nga zjarret, 700 mijë euro kushtuan vetëm helikopterët

Vatrat e zjarrit në të gjithë Shqipërinë për çdo ditë, i kushtuan shtetit miliona euro. Vetëm helikopteri i një kompanie private që u përshtat për të fikur zjarret gjatë stinës së verës është paguar nga shteti me 2500 euro/ora.
Minimalist kompania është paguar 700 mijë euro, ndërkohë që me rreth 900 mijë euro, shteti shqiptar mund të blinte një helikopter të posaçëm për fikjen e zjarreve. Emisioni investigativ “Fiks Fare” iu drejtua edhe Ministrisë së Brendshme lidhur me masat e marra dhe menaxhimin e situatës së vështirë në të cilën u gjend e gjithë Shqipëria. Në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme në të gjithë Shqipërinë kanë rezultuar 900 vatra zjarri.
Më shumë se gjysma e tyre i është lënë në dorë Shërbimit Zjarrfikës dhe pse theksohet se kapacitetet teknike kanë qenë jo të mjaftueshme. Të shumta kanë qenë ndërhyrjet me helikopterë, rreth 280 raste. Meqë ministria dhe Emergjencat Civile nuk disponojnë një të tillë, helikopterët janë marrë me qira. Shërbim, i cili ka kushtuar 2500 euro/ora.
Me një përllogaritje të vogël, në 280 raste sikur minimalisht 1 orë për rast të jetë përdorur helikopteri, në total kapet shifra e 700.000 eurove. Ndërkohë një helikopter për fikjen e zjarrit kushton minimumi rreth 935,000 dollarë. Në përgjigjen zyrtare të ministrisë nuk saktësohet kostoja totale e dëmeve, pasi raporti pritet të dalë nga Ministria e Mjedisit dhe bashkitë.
Zjarret e kësaj vere kanë prekur në mënyrë masive zonat e mbrojtura dhe të trashëgimisë kulturore si Ardenica, Lura, Syri i Kaltër, Apollonia etj. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme pas kësaj situate është përgatitur akti normativ për rialokimin e fondeve nga buxheti i shtetit, për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret e kësaj vere.

Gjirokastër, zjarr i madh në Parkun Arkeologjik të Antigonesë

Një zjarr i madh ka përfshirë ditën e djeshme Parkun Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se era e fortë po favorizon përhapjen në mënyrë të shpejtë të zjarrit. Zjarrfikëset dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes, të cilat po mundohen për shuarjen e flakëve.
Po ashtu, një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Rrerez të Patosit. Forcat zjarrfikëse të Patosit të ndihmuara edhe nga Reparti i Lushnjës po punojnë me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve. Deri tani zjarri ka djegur 100 ha me ullinj.
Mësohet se dy efektivë zjarrëfikës janë ndjerë keq për shkak të tymit dhe janë dërguar me ambulancë në repartin zjarrfikës. Por gjendja e tyre shëndetësore është e mirë ndaj nuk ishte i nevojshëm dërgimi i tyre në spital.