Mbape i mbivlerësuar

Paris Shën Zhërmeni ka shpenzuar 87.4 milionë më tepër për Kiljan Mbapenë, sipas një studimi të “CIES Football Observatory”, kompanisë që stilon si çdo vit një listë me baza shkencore mbi vlerën e lojtarëve. Talenti francez ra dakord për një pagë prej 180 mijë eurosh (që do të paguhet vitin që vjen), pasi kaloi nga Monako te PSG-ja muajin e kaluar, duke kaluar i dyti në listën e futbollistëve më të paguar në moshën 18-vjeçare.
Por parisienët ndoshta kanë shkuar përtej vlerës së nevojshme, nëse marrim në konsideratë llogaritë sipas CIES-it. Shoqata, e cila merr për bazë të dhënat e lidhura me moshën e lojtarëve, rolin, paraqitjet në kompeticionet vjetore (kampionat, Ligë Kampionësh, Ligë e Europës), plus ato me përfaqësueset, si dhe kohëzgjatjen e kontratës, duke caktuar në fund një çmim, e ka vlerësuar Mbapenë 92.6 milionë euro, thuajse gjysmën e asaj çka pagoi PSG.
Mospërputhja mes çmimit të vendosur dhe pagesës është 36 milionë euro më e lartë se për çdo lojtar tjetër, me Osman Dembelenë që renditet e dyti pas kalimit të tij te Barcelona nga Borusia e Dortmundit. Nga 20 transferimet ku çmimi i llogaritur ka pasur më shumë diferencë nga totali, vetëm tre nga lojtarët janë paguar për aq sa vlenin.
Blerja e Muhamed Salah nga Liverpuli e kryeson atë listë. Egjiptiani kishte një vlerë prej 69.4 milionë eurosh dhe një kosto prej 50 milionësh, ndërsa goditja surprizë është sulmuesi Nolito.
Spanjolli, i cili ka hasur vështirësi që pas kalimit te Mançester Siti, kaloi nga Sevilja për 10 milionë më “tepër”, pavarësisht një vlere të dyshimtë prej 27.4 milionësh.
Në studim, i cili mbulonte pesë kampionatet kryesore të Europës, “CIES Football Observatory” deklaroi se shpenzimet pritet të vazhdojnë në këtë linjë, duke u rritur gjatë viteve në vazhdim, duke paralajmëruar gjithashtu nevojën e klubeve për t’u përmbajtur, për të kufizuar shpërdorimet në rast se të drejtat televizive pësojnë rënie.
Është zbuluar se klubet e Premier Ligës kanë krijuar një deficit prej 835 milionë eurosh gjatë merkatos së fundit, ndërsa shpenzimet në të pesta ligat e mëdha janë rritur për të pestin vit radhazi. Mesatarisht, klubet e Premier Ligës shpenzuan secili rreth 89 milionë € për lojtarë të rinj.