Bitcoin, piramidë apo monedha e së ardhmes?

“Tehcnology Review”

 

Pionieri i web-it, Marc Andreessen ka investuar 50 milionë dollarë në monedhën virtuale. Shpjegon edhe se pse Bitcoin premton një revolucion të ngjashëm me atë të personal kompjuterëve më 1975 dhe të internetit më 1993.
Lind një teknologji e re misterioze, dukshëm nga hiçi. Por në realitet është fryti i 20 viteve aktiviteti intensiv nga ana e kërkuesve të panjohur. Idealistët projektojnë mbi këtë teknologji vizionet e tyre të çlirimit dhe të revolucionit, ndërsa elitat dhe pushtetet e forta shprehin urrejtje dhe përbuzje. “Minjtë” e kompjuterëve janë magjepsur: shohin një potencial të madh në këtë teknologji dhe kalojnë netët dhe fundjavat për ta përmirësuar. Lindin kompani dhe produkte që e çojnë në treg. Efektet e saj bëhen aq të thella saqë shumë njerëz pyesin sesi ka mundësi që të gjitha këto potencialitete nuk qenë të natyrshme qysh nga fillimi. Por për çfarë teknologjie po flasim? Për personal kompjuterët më 1975, për internetin më 1993 dhe – jam i bindur – për Bitcoin më 2014.
Është vështirë të theksohet se Bitcoin është një argument për të cilin flitet pak. Megjithatë, ka një distancë të madhe midis asaj që mendojnë mjetet e informacionit dhe shumë njerëz të thjeshtë nga njëra anë dhe një numri në rritje ekspertësh nga ana tjetër. Për këtë arsye do të shpjegoj se pse shumë programues dhe sipërmarrës të Silicon Valley po i përkushtohen Bitcoin dhe cila do të jetë, sipas meje, e ardhmja e tij. Mbi të gjitha, Bitcoin është një hap përpara i shkencës informatike, fryt i 20 viteve kërkime mbi valutat kriptografike dhe i 40 viteve kërkim mbi kriptografinë.
Kjo teknologji është përgjigjja e parë praktike ndaj një problemi informatik të vështirë të njohur si “problem i gjeneralëve bizantinë”. Citoj nga dokumenti origjinal që e përshkruan: “Le të marrim një grup gjeneralësh të ushtrisë bizantine të dislokuar me trupat e tyre rreth një qyteti armik. Duke komunikuar ekskluzivisht nëpërmjet një lajmëtari, duhet të gjejnë një marrëveshje lidhur me një plan beteje të përbashkët. Por të paktën një prej këtyre gjeneralëve mund të jetë tradhtar. Problemi është të gjendet një algoritëm që t’u mundësojë gjeneralëve besnikë të arrijnë një marrëveshje”.
Problemi konsiston në gjetjen e një mënyre për të krijuar besim midis palëve të palidhura midis tyre në brendësi të një rrjeti pak të besueshëm si interneti. Pasoja praktike e zgjidhjes së tij është se me Bitcoin, për herë të parë, një përdorues i rrjetit ka mundësinë që t’i transferojë një përdoruesi tjetër një pronësi dixhitale ekskluzive me garancinë e sigurisë dhe të qartësisë së transaksionit: secila nga palët e di se transferimi ka ndodhur dhe askush nuk mund t’ia vërë në dyshim legjitimitetin. Pasojat e kësaj kthese nuk mund të nënvlerësohen.
Çfarë lloj “pronësie dixhitale” është e mundur të transferohen me këtë sistem?
Firmat dixhitale, kontratat dixhitale, çelësat dixhitalë (për drynat dhe bravat materiale apo për kasafortat online), pronësia dixhitale e të mirave materiale si makina dhe shtëpi, aksionet dhe obligacionet dixhitale, si dhe paraja dixhitale. Të gjitha këto shkëmbehen nëpërmjet një rrjeti të përhapur që nuk parashikon praninë e një ndërmjetësi, si një bankë apo një broker. Gjithçka ndodh në mënyrë të tillë që vetëm pronari i një malli mund ta dërgojë dhe vetëm një destinatar i caktuar mund ta marrë. Malli ekziston vetëm në një vend të caktuar dhe në një moment të caktuar dhe kushdo mund t’i verifikojë transaksionet dhe pronësinë e këtij malli në çdo moment.
Si funksionon? Bitcoin është një regjistër dixhital i shpërndarë nëpër të gjithë rrjetin internet. Për të hyrë në regjistër mjafton të blesh një hapësirë (numri i hapësirave është i paracaktuar) duke paguar në para apo duke shitur një produkt ose një shërbim për llogari të Bitcoin. Për të dalë shkëmbehen bitcoin-ët e tu me ndonjë tjetër që dëshiron të hyjë në regjistër. Kushdo, në çdo pjesë të botës, mund të hyjë e të dalë nga regjistri sa herë të dëshirojë, pa pasur nevojë për autorizime dhe me kosto zero ose pothuajse. Edhe “monedhat”, bitcoin-ët, nuk janë gjë tjetër veçse hapësira në regjistër, në disa aspekte të caktuara të krahasueshme me zërat e listime të bursës, vetëm shumë më të lehtë për t’u përdorur për transaksionet e zakonshme. Regjistri Bitcoin është një sistem i ri pagimi: kushdo mund t’i paguajë kujtdo çfarëdo shume, thjesht duke transferuar pronësinë e hapësirës korresponduese në regjistër. Futet një vlerë, kryhet transferimi dhe destinatari merr vlerën.
Nuk shërbejnë autorizime dhe në shumë raste, nuk paguhen komisione. Kjo veçanti e fundit është me rëndësi të jashtëzakonshme. Bitcoin është sistemi i parë i pagimit në internet ku transaksionet kryhen pa komisione ose me komisione shumë të ulëta (flitet për fraksione qindarke). Në botën e industrializuar sistemet ekzistuese të pagimit zbatojnë komisione me 2–3 për qind. Në shumë pjesë të tjera të planetit nuk ekzistojnë sisteme moderne pagimi ose përqindjet janë shumë më të larta.
Bitcoin është një mënyrë për të shkëmbyer para ose mallra midis palëve pa një lidhje fiduçare paraprake. Në rastin më të thjeshtë dërgohet me e-mail apo me sms një lidhëse numerike. Dërguesi nuk ka nevojë që ta njohë destinatarin apo t’i besojë atij dhe anasjelltas: në qoftë se je në posedim të parave ose të mallit mund të paguhet, në rast të kundërt jo. Është një risi absolute. Përpara, në formë dixhitale, nuk kishte asgjë të ngjashme.

Hipoteza mbi të ardhmen
Bitcoin është një monedhë dixhitale vlera e së cilës bazohet në dy elemente: përdorimi aktual i sistemit të pagimit (vëllimi dhe shpejtësia e pagesave në regjistër) dhe hipotezat lidhur me përdorimin e ardhshëm të tij. Ky është aspekti që i ngatërron më shumë njerëzit. Ata nuk i shkëmbejnë bitcoin-ët pse dikush u ka vënë atyre një vlerë arbitrare. Është e vërtetë e kundërta: monedha ka një vlerë sepse përdoruesit mund të bëjnë transaksione nëpërmjet teknologjisë Bitcoin (në çdo vend, pa mashtrime dhe me komisione inekzistente apo shumë të ulëta). Ndoshta është e vërtetë se në këtë moment vlera e bitcoin-ëve bazohet më shumë mbi hipoteza sesa mbi vëllimin real të pagimeve, por është po aq e vërtetë që këto hipoteza po përcaktojnë një çmim mjaft të lartë sa për të bërë të mundur në praktikë pagimet në bitcoin. Monedha elektronike duhet të ketë një vlerë të caktuar që të mund të krijojë vëllime edhe minimale pagimesh reale. Është problemi klasik “pula vezën apo veza pulën”: një teknologji e re nuk vlen shumë deri kur nuk vlen jashtëzakonisht shumë. Për këtë fakti që vlera e Bitcoin-it është rritur edhe falë hipotezave lidhur me përdorimin e ardhshëm të tij e ka përshpejtuar dobishmërinë praktike të tij.
Skeptikët nënvizojnë dobishmërinë praktike të kufizuar të tij për konsumatorët dhe tregtarët, por të njëjtat kritika i janë drejtuar në fillim pc-ve dhe internetit. Çdo ditë një numër në rritje konsumatorësh dhe tregtarësh në të gjithë botën blen, përdor dhe shet Bitcoin. Numrat e përgjithshëm janë akoma modestë, por janë në rritje të fortë dhe përmirësimi i instrumenteve dhe i teknologjive të lidhura me Bitcoin po e bën gjithnjë e më të lehtë përdorimin e këtij sistemi. Le të kujtojmë se dikur ishte një gjë e vështirë edhe të hyje në internet. Sot nuk është më kështu. Një kritikë tjetër e pabazë është se tregtarët nuk do ta adoptojnë Bitcoin-in për shkak të volatilitetit të tij. Mund të përdoret kjo teknologji edhe vetëm si sistem pagimi. Tregtarët nuk janë as të detyruar të posedojnë Bitcoin-ë, as t’i ekspozohen volatilitetit të tyre.
Çdo konsumator apo shitës mund të tregtojë në bitcoin (apo në çdo monedhë tjetër) apo të çlirohet në çdo moment. Pse një tregtar – online apo tradicional – duhet t’i pranojë bitcoin-ët si formë pagimi, duke parë se ka një numër të kufizuar konsumatorësh të gatshëm për t’i përdorur? Kohët e fundit ortaku im, Chris Dixon ka dhënë këtë shembull: “Le të themi se keni një dyqan produktesh elektronike online. Marzhi i fitimit mesatar në sektor është më pak se 5 për qind. Kështu, një komision normal prej 2.5 për qind mbi pagimet heq gjysmën e marzhit. Këto para mund të investohen në kompani, t’u kthehen konsumatorëve ose të taksohen nga shteti. Midis të gjitha mundësive, ajo e dhënies së 2.5 për qindëve bankave për të postuar bit në internet është më e keqja. Një tjetër vështirësi për tregtarët është të pranojnë pagime ndërkombëtare. Në qoftë se po pyesni se pse produkti apo shërbimi juaj i preferuar nuk është i disponueshëm në vendin tuaj, shpesh përgjigjja ka të bëjë me sistemin e pagimit”.
Tregtarët janë shumë të tërhequr nga Bitcoin-i edhe pse eliminon rrezikun e mashtrimeve me kartat e kreditit. Bitcoin-i është një instrument pagimi për bartësin, domethënë midis atij që kryen pagimin dhe atij që e pret nuk ka asnjë shkëmbim informacioni që mund të përdoret as për t’i marrë para blerësit, as nga shitësi, as nga një kriminel që përfiton. Mashtrimet me kartën e kreditit janë një problem aq i rëndë për tregtarët, menaxhuesit e kartave të kreditit dhe bankar sa që sistemet e njohjes së mashtrimeve online janë studiuar për të bllokuar çdo transaksion minimalisht të dyshimtë. Për këtë motiv, shumë tregtarë online detyrohen që t’u duhet të refuzojnë nga 5 deri në 10 për qind të porosive të ardhshme, urdhra që mund të pranohen pa frikë në qoftë se klientët do të paguanin me Bitcoin, gjë që me këtë lloj mashtrimi është i pamundur. Duke trajtuar porosi tashmë të bëra, për një kompani janë ato me marzhin e fitimit më të lartë dhe të mund t’i pranojë nënkupton që t’i rrisë ndjeshëm fitimet.
Besueshmëria e Bitcoin-it shtrihet deri në botën e dyqaneve e shitjes me pakicë. Me Bitcoin, sulmi kolosal informatik me të cilin janë marrë të dhënat e kartave të kreditit të 70 milionë klientëve të zinxhirit të supermarketeve Target nuk do të kishte qenë i mundur. Ja sesi do të mund të funksiononte me bitcoin-ët: një klient e mbush karrocën dhe shkon tek arka, por në vend që t’ia japë arkëtares kartën e kreditit, ai nxjerr smartphone dhe i bën një foto kodit Qr që shfaqet në regjistruesin e arkës. Kodi Qr përmban të gjitha informacionet e kërkuara për të dërguar bitcoin-ë tek Target, duke filluar nga shuma totale. Klienti klikon “konfirmoj” në telefon dhe transaksioni ka përfunduar (në qoftë se klienti nuk disponon bitcoin-ën, shuma e përgjithshme në dollarë apo në valutë tjetër konvertohet në bitcoin). Target është i lumtur sepse arkëton paranë në Bitcoin që, në qoftë se dëshiron, mund ta konvertojë menjëherë në dollarë. Veç kësaj, nuk ka paguar asnjë komision (ose një komision mjaft të ulët) për përpunimin e pagimit. Klienti është i lumtur sepse për hakersat nuk ka asnjë mënyrë që të vërë dorë në të dhënat personale të tij. Kriminaliteti i organizuar është më pak i lumtur (ose ndoshta jo: mund të provojë të vjedhë drejtpërsëdrejti nga sistemet informatike pak të mbrojtura të tregtarëve. Por edhe sikur operacioni të dalë me sukses, për konsumatorin nuk ka rrezik humbjeje ekonomike, mashtrimi apo vjedhjeje identiteti). Së fundi, do të doja të sqaroja një çështje të ngritur nga dikush, sipas të cilit Bitcoin do të favorizonte sjelljet kriminale, duke u mundësuar delinkuentëve dhe terroristëve që të spostojnë para në mënyrë anonime dhe në mosndëshkim total. Kemi të bëjmë me një legjendë, e ushqyer sidomos nga sensacionalizmi i mjeteve të informimit dhe nga një dije e pasaktë sesi funksionon teknologjia. Ashtu si posta elektronike, e cila është lehtësisht e gjetshme, Bitcoin është një teknologji pseudonime”, jo anonime. Veç kësaj, çdo transaksion në rrjetin e tij është i gjetshëm dhe i ruajtur në një arkiv të përhershëm të quajtur block chain, të cilin të gjithë mund ta konsultojnë. Ja pse Bitcoin është patjetër më i thjeshtë për t’u gjetur nga forcat e rendit respektivisht parave kesh, floririt dhe diamanteve.
Bitcoin është një rast klasik “efekti–rrjet”, që shkakton një rreth vicioz. Sa më shumë njerëz përdorin Bitcoin-in, aq më shumë ai fiton vlerë për atë që e përdor dhe aq më shumë rritet stimulimi i përdorjes nga një përdorues i ri. I njëjti “efekt–rrjet” karakterizon sistemin telefonik, uebin dhe disa shërbime popullore online si eBay dhe Facebook. Në të vërtetë, efekti – rrjet i Bitcoin-it është i katërfishtë. Ka katër basene përdoruesish që kontribuojnë për t’ia rritur vlerën: konsumatorët që paguajnë me bitcoin, tregtarët që pranojnë bitcoin-ët, miners (kërkues bitcoin-ësh) që menaxhojnë kompjuterët në bazën e të gjitha transaksioneve dhe të rrjetit fiduçar, zhvilluesit dhe sipërmarrësit që realizojnë produkte të reja dhe shërbime të bazuara mbi Bitcoin. Të gjithë këta komponentë janë të rëndësishëm, por i katërti ka një peshë themelore. Në Silicon Valley dhe në pjesën tjetër të botës mijëra programues po e bëjnë Bitcoin-in bazën e produkteve dhe shërbimeve që përndryshe do të ishin të pamundur. Andreessen Horowitz po regjistron një rritje të fortë të numrit të sipërmarrësve që themelojnë kompani rreth Bitcoin-it. Vetëm për këtë, konkurrentët potencialë e kanë rrugën në ngjitje. Për ta shkelmuar këtë sistem duhet të bëhen përmirësime konsistente dhe me ngut. Përndryshe efekti–rrjet do ta çojë Bitcoin-in në një pozicion dominues.

 

Remitancat e emigrantëve
Tregu potencial më i pasur për novacionet e bazuara mbi Bitcoin-in është ai i remitancave ndërkombëtare. Çdo ditë qindra milionë njerëz punojnë jashtë vendit për t’u dërguar para familjeve të tyre në vendlindje: sipas Bankës Botërore, dërgojnë më shumë se 400 miliardë dollarë në vit. Çdo ditë bankat dhe kompanitë që ofrojnë shërbime pagimi zbatojnë mbi këto transaksione komisione marramendëse, deri në 10 për qind dhe nganjëherë edhe më shumë. Me kalimin në Bitcoin, që zbaton komisione shumë të ulëta apo deri zero, cilësia e jetës së emigrantëve dhe e familjeve të tyre do të përmirësohej ndjeshëm. Pak gjëra, po t’i mendosh mirë, do të kishin një efekt po aq të shpejtë dhe pozitiv mbi jetën e njerëzve në vendet më të varfra.
Veç kësaj, Bitcoin mund të fusë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish në sistemin ekonomik global. Vetëm nja 20 vende të botës kanë sisteme bankare dhe pagimi që mund të konsiderohen të evoluar. Në shumë vende shumë njerëz nuk kanë akses në produkte dhe shërbime që në Perëndim i marrim si të mirëqenë. Netflix, shërbimi për huazimin e filmave online, është i disponueshëm vetëm në 40 vende. Bitcoin, një sistem global pagimi online që kushdo mund ta përdorë në çdo vend dhe në çdo moment, mund të jetë një volan që i shtrin benefitet e sistemit ekonomik modern tek të gjithë banorët e planetit. Edhe në Shtetet e Bashkuara ekziston problemi i njohur dhe i vështirë i komisioneve shumë të larta që të ashtuquajturit unbanked – qytetarët që nuk kanë një llogari korrente bankare – duhet të paguajnë për shërbimet financiare bazë.
Bitcoin mund të jetë zgjidhja, sepse e bën më të thjeshtë ofertën e shërbimeve me komisione minimale për atë që është jashtë sistemit financiar tradicional. Një rast i tretë interesant është ai i mikropagimeve. Pavarësisht 20 vjet tentativave, mikropagimet nuk janë akoma realitet, pasi nuk është komode të kryhen pagesa të vogla (nga 1 dollar e poshtë, deri në qindarka apo në fraksione të qindarkës) nëpërmjet sistemeve ekzistuese. Komisionet e parashikuara i bëjnë të papraktikueshëm.
Me Bitcoin e gjitha kjo bëhet me një lehtësi çarmatosëse. Bitcoin-ët kanë karakteristikën dalluese të të qenit të ndashëm në infinit: aktualisht deri në 8 të mijtat pas presjes dhjetore, por në të ardhmen edhe më shumë. Kështu që është e mundur të tregohet sipas qejfit një shumë e vogël parash, për shembull një e mijta e qindarkës dhe t’i dërgohet kujtdo në botë, falas ose pothuajse. Le të mendojmë për monedhizimin e përmbajtjes. Një prej motiveve për të cilat kompanitë e sektorit botues, si puna e gazetave, kanë vështirësi që t’i paguajnë përmbajtjet është se, duhet të zgjedhin nëse të bëjnë të paguhet një abonim për të gjithë përmbajtjen apo asgjë (me proliferimin pasues të posterave të tmerrshëm publicitarë në ueb). Tani me Bitcoin-in ekziston një mënyrë ekonomikisht e mbështetshme për të paguar shuma të vogla parash sa duhet për një artikull të vetëm, për eksesin në një seksion, për 1 orë përdorim, për shikimin e një filmimi, për eksesin në arkiv, për azhurnimet.
Një tjetër avantazh potencial i mikropagimeve me Bitcoin është lufta kundër spam-it. Në të ardhmen, sistemet e postës elektronike dhe të rrjeteve sociale do të mund të refuzojnë të pranojnë mesazhe në hyrje vetëm në rast se nuk janë të shoqëruar nga një sasi minimale bitcoin-ësh, aq e vogël sa të jetë indiferente për dërguesin, por mjaft e madhe sa të dekurajojë kush sot bën spammer duke dërguar falas miliarda mesazhe. Së fundi, një rast i katërt interesant është ai i donacioneve. Është një ide që më ka ardhur në mendje disa muaj më parë duke lexuar një artikull. Një spektator i një ndeshjeje të transmetuar në televizor ka shfaqur një tabelë me një kod Qr dhe në të shkrimin “Dërgomëni!”. Në 24 orët e para ka marrë nga njerëz që nuk i kishte parë kurrë 25000 dollarë në monedhë dixhitale. Është një kthesë e paprecedent: dikush shikon një të panjohur me një tabelë (personalisht, në televizor apo në fotografi) dhe i dërgon para me dy klikime në smartphone: mjafton të fotografojë kodin Qr dhe të klikojë për të dërguar paratë.
Le të mendojmë për implikimet për lëvizjet e protestës. Sot manifestuesit dalin në televizor për të informuar qytetarët mbi arsyet e protestës së tyre. Nesër do të dalin sepse kjo do të jetë mënyra me të cilën do të mbledhin fonde: mjafton të tregojnë një tabelë dhe simpatizuesit nga e gjithë bota do të mund t’i nisin menjëherë kontributet e tyre. Nga pikëpamja e teknologjisë së aplikuar nga financa, Bitcoin është një ëndërr që do të vërtetohet edhe për aktivistët politikë më fuqimisht antikapitalistë.
Na presin vite fermentimi të madh rreth kësaj teknologjie të re. Disa ekonomistë të shquar janë skeptikë lidhur me Bitcoin, edhe pse kohët e fundit ish-Presidenti i Federal Reserve, Ben Bernanke, ka shkruar se monedhat dixhitale si Bitcoin-i “mund të rezultojnë premtuese në perspektivë, sidomos në qoftë se do të favorizojnë krijimin e një sistemi pagimesh më të shpejtë, të sigurtë dhe efikas”. Më 1999 ekonomisti Milton Friedman tha: “Një gjë që akoma nuk është, por që shpejt do të zhvillohet, është një sistem paraje dixhitale i besueshëm, një metodë me të cilën të transferohen fonde në internet nga A në B, me A dhe B që nuk njihen: unë marr 20 dollarë, t’i jap ty dhe ti i merr pa e ditur se kush jam”. Ndoshta ekonomistët që sot kritikojnë Bitcoin-in kanë të drejtë, por unë jam me Bernanke dhe Friedman. Do të ketë shumë çështje rregulluese që duhen përballuar, duke qenë se asnjë vend nuk disponon norma në gjendje që të menaxhojnë efektet e kësaj teknologjie.
Por shpresoj që t’ju kem dhënë një ide për potencialitetet e mëdha të tij. Bitcoin nuk është as një përrallë e thjeshtë libertare, as mania e fundit e Silicon Valley që pastaj plas si një flluskë sapuni. Është një dritare e hapur mbi mundësitë e mëdha të sistemit financiar në epokën e internetit, sesi mund dhe duhet të funksionojë. Është një katalizator potencial për të riorganizuar këtë sistem në mënyrën më efikase për qytetarët dhe për bizneset.

 

Përgatiti:
ARMIN TIRANA